Sofra

SOFRA ~ 2

"...delet theren çdo ditë e qengjat për kurban flijohen,
Qentë jetojnë gjer në pleqëri e prapë sa delet nuk shtohen..." ~ Fatmir Muja

SOFRA ~ 1

Qofshin të madhëruar Nëntëdhjet e Nëntë Emrat që i mbajnë gjallë zemrat,
dhe qofshin të uruara në çdo trokitje ato zemra që me durim e kanë bërë të bukur çdo pritje!

MBJELLJA LE TË JETË E DYTA, NJOHJA E FARËS E PARA SE FRYTET NUK VAREN NGA QËLLIMI YT, POR NGA FARA.

Ti mund të kesh për qëllim mbjelljen e luleve të bukura
Por nëse fara është e ferrave, pavarësisht qëllimit tënd të mirë
Në vend të luleve të bukura, veç ferrat kanë për të mbirë.

SECILIT TEK TI I PËLQEJNË VETËM SHIJET E VETA

 



Dëshira për t’u pëlqyer është mosnjohje e vetes
Gënjeshtra gjithnjë shërbehet me Fjalët e Të Vërtetës

NUK MUND TË JESH I MADH AQ SA DUKET HIJA JOTE

Kur bërtet luani, zemra edhe bjeshka tundet       
Sepse britma zërit të tij edhe i shkon, edhe mundet
Por ama kur bërtet macja, as nuk mundet, as nuk i shkon
Zëri i saj i shtirur veç minjtë brenda vrimave i frikëson.

LOTI

Është një kujtim dhe nuk mund ta heqësh dot,
Madje as atëherë kur syri s'do të ketë më lotë.



 

NUK MUND TA SHOHËSH JASHTË TEJE, ATË QË S’E SHEH BRENDA VETES

"...Derisa veç do të shohësh e nuk do të njohësh,
do t’i ngjash mizës që dita i shkon mbi xham duke u përplasur
edhe pse gjysmën e dritares e ka të hapur.”



 

DASHURIA ËSHTË E VETMJA QË DYSHIN E BËN NJË, PA HEQUR DHE SHTUAR TEK DYSHI ASGJË.

A mund të ma bësh një vend në zemrën tënde?
Sepse duke më mbajtur në zemër gjithë jetën
Nuk mund të më lëndosh mua pa e lënduar veten

PËR SHKAK SE U SHPOVE NË GJEMBA, MOS E SHKEL TRËNDAFILIN!

Të dobëtit hakmerren, të fortët falin, te mençurit shpërfillin
E të urtët jetën e tyre me keqbërjen e askujt s’e lidhin.



 

I DUA BUKURITË EDHE NËSE I SHËMTUAR JAM

I dua aromat edhe nëse s’jam i parfumosur
I dua edhe këshillat sepse më pëlqen të jem i përsosur



 

SI ÇDO I DASHURUAR, EDHE UNË PËRGJIGJEM JO ME MENDJE POR ME ZEMËR

Ta fillosh ditën me falënderim dhe ta mbarosh me mëshirë,
Nuk ke si të jesh ndryshe, veç MIRË!



 

NUK MUND TA SUNDOSH NJË ZEMËR QË DËSHIRON ASGJËNË

Një ditë jam bërë si ujk e tjetrën si qen besnik i çobanit
Kam fjetur me shpirtin e poetit, jam zgjuar me zemrën e luanit



 

NUK KA MBRETËRI MË TË MJERË SE AJO KU NUK DUKET GJË TJETËR VEÇ MBRETIT

"...nuk ke qenë edhe aq i vogël sa ta bësh veten kaq të madh, po nejse…"

TE TJETRI E PËLQEJMË ATË QË ËSHTË SI TE VETJA JONË

“Ta pyesim gomarin” - tha sorra – “se ky ka veshë të gjatë”
Cili këndojmë më bukur, unë apo ky bilbil këngëtari
“Bukur ia thotë bilbili, por ty moj sorrë s’ta kalon dot” – tha gomari
“Ke të drejtë” – tha zëëmbëli – “kështu ka qenë gjithmonë,
Te tjetri e pëlqejmë atë që është si te vetja jonë”

TI MBETESH GJITHMONË NË VETMI, BRENDA VETES PO S’HYRE

I njëjti zjarr që të ngroh mund të të djeg, kujtohu,
Po s’pate guxim të digjesh, ngrohu dhe largohu!

ZEMRAT NUK MUND T’I RUASH POR VEÇ T’I DASHUROSH

Të fshihesh e të ruhesh do të thotë të mos jetosh
Zemrat nuk mund t’i ruash por veç t’i dashurosh

MUND TË PISH AQ SA KE ETJE E JO AQ SA KA UJË

Ujin e njëjtë e pimë, rrugëtimi nuk mbaron me kaq
Por ca mbetemi rrugëtarë e ca të tjerë rrugaçë.



 

PADITURI S’DO TË THOTË TË MOS DISH, POR TË DISH NË MËNYRË TË GABUAR

Hijet që të trembin janë shfaqje që drita i mundëson
Edhe hija më e frikshme veç ekzistencën e dritës dëshmon

JETA S’ËSHTË NYJE QË DUHET ZGJIDHUR, POR FSHEHTËSI QË DUHET JETUAR

E pamundura ekziston derisa kufijt e  të mundurës nuk i ke kaluar
Jeta s’është nyje që duhet zgjidhur, por fshehtësi që duhet jetuar.



 

E VËRTETA NUK VDES, GËNJESHTRA NUK JETON

"Për ta kuptuar në është e rreme një gjë,
Vështro nëse ka Dashuri në të!"



 

NDARJA E TRUPAVE DHEMB KUR SHPIRTRAT JANË TË LIDHUR

 



"Ka zemra të pikëlluara nga ndarjet ashtu siç ka zemra të përmalluara nga takimet, por ka edhe zemra që çdo ndarje e kanë takim të vetë Zemrës, ashtu si gjethet që kur ndahen nga degët, takohen me rrënjët e pemës."

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja