Poezi

QENDRA DHE PERIFERIA

"Zemra në prani të të dashurit, edhe pse rreh më shpejt, nuk lodhet..." ~ Fatmir Muja



 



 

VARRI I KUJTIMEVE

"...veç dashurisë, gjithçka tjetër është e përkohshme." ~ Fatmir Muja

DINI E IMANI

"Në kohën e lirë jam tepër i zënë..." ~ Fatmir Muja

RRUGË TË MBARË!

Koha i ndryshon njerëzit por ka njerëz që ndryshojnë kohën
Ka zemra që gjejnë kohë për të gjithë e veç me veten s’takohen



 

FJALËT E NJË KALORËSI (2)

Në zemrat e shpirtrave të vegjël mos derdh fjalë të mëdha të së Vërtetës
Se liqeni nuk mund ta mbajë oqeanin brenda vetes.

LULJA

Aromë, petale, vesë e nektar: të gjitha kanë qenë në farë
Por fara është dashur të çahet, bukuritë e saj për t’u parë
E kush nuk ka guxim t’i përjetojë çastet e çarjes
S’e njeh gëzimin e takimit e as dhimbjen e ndarjes.



 

DERA JESHILE

'...s’mund të gjesh perla në çdo ujë e as xhevahir në çdo minierë."



 



 

HABIBI

“Ti ke udhëtuar në qiej, fshehtësinë e tokës për ta gjetur,
Mos ik kurrë nga ata që kanë arsye për të të ndjekur!”



 

PEMA E JETËS

Paqe!
Me artin e amshueshëm të ekzistencës jam shfaqur, ja ku jam
Qiellit i jam drejtuar se rrënjët thellë në Tokë i kam
Pranvera më ka lulëzuar e të bukur më ka bërë
E sheh sa shumë degë kam dhe prapë jam një i tërë?
Vera më ka gjelbëruar dhe s’më ka lënë pa atë hir bukurie
Edhe kur mbetem pa fruta të paktën mund të bëj hije

LUANI

Mbret nuk është shpallur po për mbret e njohin
Të mëdhenjtë ndihen të vegjël kur vogëlsinë e tij shohin
Të vegjlit janë të sigurt kur me madhështinë e tij përballen
Nga prania e tij gjallesat e fjetura ngjallen
Bari kur thahet i ngjason me ngjyrën por ai s'bëhet një me natyrën
Për dallim nga ca majmunë me duar nuk e fsheh fytyrën

ÇELËSI I HUMBUR

Mirë!
Ti sërish ke shpalosur këtë faqe dhe këtu do të zhytesh sërish
Madje, ti ke qenë këtu shumë herë edhe para se të vish
Malet dhe detet e shpirtit po digjen në flakën e amshueshme të jetës
Njeriu mund të ndahet nga një botë, por nuk ndahet dot prej vetes
Nuk është e madhe as e thellë ajo që mbetet prapa e as para nesh
Por ajo që s’mund të thuhet edhe pse brenda shpirtit do ta ndjesh
Brenda janë thesaret e fshehura të Qiellit po çelësi ka humbur në Tokë
Dryni dhe çelësi edhe po s’u takuan, gjithnjë njihen si shokë

MALL PËR VETEN

Kur malli më mori për veten e gjithë ekzistenca qau
Trupi im një peme të pagjelbëruar i ngjau
Një degë me fruta plotë jetë sëpata nga trungu e ndau
Një vjeshtë e papritur erdhi, gjethet i këputi e i thau
Po rrënjët e mia nuk vdiqën edhe pse fati i vrau
Dikush që shumë më lavdëronte, më shumë nga të gjithë më shau

NEKTARI

Gjithçka është e fshehur si fara e bimës në dhè
Fara është veç mundësi për kopshtin që ndodhet tek ne
Dashuritë janë të fshehura por zemrat i përjetojnë
Nektari është i fshehur por bletët e zbulojnë
Në mjaltë mbyten insektet, por jo edhe ato që e prodhojnë
E fshehur është edhe fjala që brenda nesh e pathënë jeton
Goja është më afër zemrës e më larg barkut që ushqim i çon
E trupi mishërohet me jetën tokësore derisa qenia frymon

LOTËT E DIELLIT

Jo!
Unë kurrë nuk do të pushoj së udhëtuari sado e rëndë të jetë
Nëse rrugë nuk ka, rrugën do ta hap vetë
Do të udhëtoj kah Dielli se flaka e tij më thërret
S’do ta prish gëzimin e të paditurit kur padituria e tij e gëzon
S’do ta prish pikëllimin e të mençurit kur mençuria e lëndon
S’do t’ia prish qejfin as gënjeshtarit se rrena e tij s’më dëmton

OXHAKU I SHKODRËS

Kafshatat e bekueme të shpirtit janë gatue në këtë sofër
Nadja i ka gjetë zemrat tue i thirrë Emnat e Bukur në Shkodër
Po ku je o shpirt dashunues që je dorëzue për me gjetë paqe?
A vijnë ndonjiherë pranverat me i shkri lotët e akullt në nji faqe?
A vijnë ndonjiherë bletët, hojet e tyne me mjaltë me i mbushë?
A vijnë sërish bujqit me gjelbrue dheun e shkretnuem në fushë?
A vijnë sërish përgjigjet me u kënaq me pyetjet si dikur?
Apo, edhe pse flet ekzistenca ne s’duem me ndigjue ma kurrë?
A mundesh përgjigjet me i ba ilaç për dhimbjet e kësaj dite?
Ku fëmijët frigohen prej terri e të rritunit frigohen prej drite,
A mundesh ti me zjarmin tand me ngrohë edhe nji herë këtë jetë?
E dhimbshme asht me u shkri bora e dimnat në zemër me t’mbetë.

KOMPASI

Unë jam pa emër e pa mbiemër
Me gjysmën time lëviz në çdo zemër
Me gjysmën tjetër rrënjosem në Pikë
Unë nuk jam trim por jam i pafrikë
Unë jam veç rob, por jam i lirë
Nuk jam i keq, por s’jam i mirë
Nëse të dukem i denjë për shoqërim
Të lutem bëhu armiku im!

LOTUSI PA GJEMBA

Ah lule pa gjemba që mban nektarin e përjetësisë
Gjallëro pranë lumejve të mjaltit që gufojnë e nuk shterojnë
E idhtueme është jeta kur ti nuk lulëzon në shpirtin njerëzor
Dashuria dhe frika e dridhin zemrën në krahëror
Prandaj dashuria dhe frika nga njerëzit ngatërrohen
Ujërat burojnë të pastër por gjatë rrugëtimit turbullohen
Të dridhesh nga frika - këtë s’do ta dëshiroje
Të dridhesh nga dashuria - këtë do ta kërkoje
Pyet ata që bëjnë dallimin tek gjërat që gjasojnë:
A mund t’i dashurojmë ata që na frikësojnë?

PERLAT E FSHEHURA

Çdo gjëje që njerëzit s’e dinë, ia vënë emrin fshehtësi
Dituria është si oqeani që fsheh perlat në thellësi
Më shumë bëjnë zhurmë ata që pranë brigjeve në cektësi janë duke u larë
Se ata që në thellësi takohen me perla e margaritarë

BURGU PA DRY

Në burgun e egos kur frymojmë, dritën e zemrës e errësojmë
Sillemi si të lirë edhe pse të gjithë na robërojnë
S’na duken aq kokëtrashë budallenjtë që na lavdërojnë
S’na duken aq të mençur të urtët që na qortojnë
Duke u mahnitur me mendjen, shpirtin tonë e harrojmë
Themi “unë mendoj” edhe pse mendimi s’na vjen kur dëshirojmë

NJË ZEMËR PRET NË SHKUP

Ezani i fundit i ditës thërret nga minarja e lartë
Thotë kujdes nga helmi që ta hodhën në mjaltë
Thotë se të iku edhe një ditë e kësaj jete,
Kudo që të shkosh trupin duhet ta marrësh me vete
Thotë se bima e budallallëkut nuk do të rritej,
nëse nga asnjë i mençur nuk do të ujitej.

SOFRA E JETËS

Merr nga sofra e jetës ku dijetarët ushqehen për jetë të jetëve
Merr e mos ngurro se ata janë trashëgimtarë të profetëve
Ata shohin me Dritën e Qiejve dhe Tokës
Ata të tregojnë si të mësosh nga gjithë krijesat e botës

SIMFONIA E NJË SHPIRTI

Mos qaj se na ikën netët e mbeti vetëm ëndrra,
se humbi këngëtari, mbeti vetëm kënga
Se humbën valltarët, mbeti vetëm vallja,
nga të gjitha dhimbjet ti je më e madhja.

GURI I ZI

O  dashamirës i kopshtit që lulëzohet!
Një poezi për Gurin e Zi s’kuptohet por veç shijohet
Aroma e trëndafilit me fjalë dot nuk shpjegohet
Ah po ç’qetësi e ëmbël në botë do të mbretëronte
Sikur njeriu për gjërat që s’i di, fare të mos kuvendonte

VARGJE NGA BARIU I VETMUAR

Vetminë e ndjeva në zemër kur njerëzit nuk i takova
Por atë që ma mësoi vetmia nga njerëzit kurrë nuk e mësova
Kam duruar në zemrën time dhembjen më të rëndë se bjeshka
Unë bariu i vetmuar që vetminë kurrë nuk e desha

...NATËN E MIRË!

Në këtë botë kur u nisa, vetëm isha, asgjë s’kisha,
Në këto rrugë kur hapërova, më shumë qava se këndova
Në këtë qiell çdo natë shikova si merr dritë hëna prej diellit
Njerëzit ikën e nuk thanë, as “më fal” as “faleminderit”…

PËR LULEN E DJEGUR NË POGRADEC

Mbase ti do të jetoje duke besuar te njerëzit pafundësisht
Por në jetë ka buzë që puthin e gënjejnë njëkohësisht
Dhe s’ka zemër që për hir të puthjes gënjeshtrën e harron
Se dhimbjen e të dytës e para s’e shëron.

VDIS PARA SE TË VDESËSH!

E di që jam i marrë dhe budalla,
por ama kjo është e vetmja mënyrë që më ka mbetur të dallohem nga të mençurit.
Nëse te mençurakët s’e ke gjetur atë që ke kërkuar
Mbase do ta gjesh te ata që marrëzisht janë dashuruar.
Zemrat e tyre janë si bimët e brishta që gufojnë mbi një gurë
E shiut që befasisht zbret nga qielli, nuk mund t’i shpëtojnë kurrë.
Por shiu i rrëmbyeshëm ato i zgjon me një fjalë prej gjumit:
“Dashuria e Parë është edhe e Fundit”.

FJALËT E NJË KALORËSI

Do të të plagosin mu në zemër ata që zemrën ua ke falë
Por ti do forcohesh se s’ka dhimbje që rrugën tek Pafundësia ta ndal
Nëse ata që ua tregove emrin, në emër të thërrasin
Edhe ata që ua tregove plagën, në plagë do të të godasin
Çdo plagë do të dëshmojë forcën tënde me të cilën ti do ngrihesh
Jeto si thesar që edhe kur zbulohesh, çmohesh njësoj, si kur fshihesh!



 

QAJ E QESH!

Sa të vetmuar janë ata sy që iu mungon loti kur bota ndien dhimbje!
Sa të trishta janë ato buzë që nuk qeshin kur bota ndien gëzim!
Cili sy njerëzor erdhi në botë për të mos qarë?
Cila buzë njeriu erdhi në botë për të mos qeshur?
Ti qaj e qesh dhe me gazin e lotët tu mbushe jetën
Kur të tjerët të lavdërojnë më shumë se sa je, kuptoje të vërtetën,
Ata që i japin peshkut ushqim nëpërmjet grepit, nuk e ushqejnë peshkun por veten.

LEXO NË LIBRIN E JETËS!

“Nga Një e Vërtetë e Vetme të gjitha gënjeshtrat tunden,
Qetësohu se ‘dhe mizat duan të krijojnë mjaltë, por nuk munden!”
 

NATA E FUNDIT NË TIRANË

A ke aq forcë sa të më thuash natën e mirë?
Nëse përshëndetjet nuk u mungojnë takimeve, përse duhet t’u mungojnë ndarjeve?
Le të ndahemi këtu ku u takuam se dashuritë kanë veç fillim e jo fund
Zemrat braktisin ata që duan më pak, për hir të atyre që duan më shumë
Veç shpirtrat që bashkohen për hir të Së Vërtetës, ndahen të bashkuar në rrugët e jetës.
Veç ata që përjetuan dhimbjen tonë, kur ne të kemi ikur, do të thonë:
“Këtu i lagte loti kur s’i lagte shiu, një zemër nga jugu, tjetrën nga veriu”

FJALË MES DY ZEMRASH

Aq sa i duam ardhjet, i urrejmë ikjet
Mund t’i fshehim plagët por jo edhe dhimbjet
Nëse të plagosa, këtë e bëra që të ta shpëtoj jetën
Njëlloj si i urti që dëmtoi anijen e të varfërve për ta shpëtuar nga piratët
Një zemër që jeton përvujtnisht, është më e fortë se vuajtjet
Zemra s’u krijua vetëm për të dashuruar,
por edhe për t’i duruar vuajtjet që mund t’ia shkaktojë dashuria
Sytë s’u krijuan vetëm për të parë,
por edhe për të qarë për gjërat që kanë hyrë në zemër nëpërmjet shikimt.
Prandaj, merri vetëm fjalët dhe ik se të gjithë kemi nevojë të rrimë me vetveten.

PAPAGALLI

O gjallesë që fjalë thua e nuk flet!
Po të mos ishte bota jote aq sa ti e sheh me sy
Do të pyesja: A janë të lirë ata që të kanë robëruar ty?
Por, meqë ti më dëgjon e s’më kupton, unë do të hesht
Nëse ti mund ta zbulosh fshehtësinë e heshtjes sime
Shfaqe atë para njerëzve se e ke hallall
A s’është e mrekullueshme të ruhesh nga një papagall?

EJA EDHE NJË HERË!

Kur unë të jem harruar pothuajse nga krejt bota
Eja ti me vesën e të gjitha mëngjeseve të jetës
Dhe m’i kujto lulet që u thanë pa ua ndier aromën
M’i kujto gjynahet e mia që kanë arritur majat e maleve
Kështu s’do ta harroj se nuk ka mal pa majë
Dhe do ta kujtoj sot e përmot që edhe pse majat e maleve janë më afër diellit
Prapë se prapë ato jetojnë me borën.
 

ASHIKUT!

Aty ku dashuria gufon, mendja çalon
Por ti nuk je si shumica edhe pse shumicës i takon
Ti ruaje mendjen, se po të humbi mendja me çfarë do ta ruash dashurinë?!
Ti thua: “me zemër”, edhe unë jam dakord
Por jo të gjithë kanë zemër për të na kuptuar se ç’themi ne n’këtë botë.

U NISA!

U nisa sot drejt zemrës sate për ta gjetur zemrën time!
U nisa sot drejt qendrës, për t’i parë periferitë!
Malli i krejt jetës u shfaq sot në qeniet tona!

O NJERI I MIRË!

O njeri i mirë!
Ti ke pranuar të durosh dhimbjen që vjen nga e vërteta
Prandaj nuk i merr për ilaç gënjeshtrat
Ti ke vdekur para se të vdesësh, prandaj je më i gjallë se të gjallët
Ti ke shkruar në epitafin tënd një fjalë të urtë si gjithë njerëzit e dlirë:
“Është mirë të jesh i rëndësishëm, por më e rëndësishme është të jesh i mirë.”

TRËNDAFILI I ÇAMËRISË

Një natë në ëndërr m’i pëshpërite ca fjalë të qëmotshme:
Më the: “Jemi tre: ti, unë e dhimbja.
Nëse vjen, dhimbjen do ta mund me ty
Nëse s’vjen, dhimbja do na mundë të dy”
Të thashë: ja ku jam, po flasim me një zë
Por ëndrra na iku e ne s’ishim Një

AMNEZIA

Ai ecte në periferitë e qytetit
Duke menduar se vetë është qendra
Në fakt, ai vetëm në periferi mund të dukej i rëndësishëm

TI AFËR, UNË LARG!

Sot u zgjova me dhimbjen e djeshme
Dhe njerëzve u fola me fjalët e nesërme
Më thanë se dashuria është sëmundje
U thashë se nuk dua të gjej ilaç për të

E HËNË…

O Gjoks i Vulosur nga Drita e qiejve dhe tokës!
Ti erdhe tek ne që buzët tona të mos mbeten të vetmuara pa buzqeshjen
Ti erdhe tek ne që trupat tanë të mos bëhen varre për zemrat e vdekura
Drita çdo gjëje ia zbulon hijen e vet
E pse çdo hije është e zezë edhe pse gjërat janë shumëngjyrshe?!
Ti erdhe pa asnjë ngjyrë që përmes teje t’i shohim të gjitha ngjyrat
Ti erdhe pa asnjë shkronjë që neve të na i mësosh të gjitha shkronjat
Ti erdhe i fundit por ti je pari.

TË PREMTEN NUK VIJ!

E di se do të më prisni në takimin e përjavshëm
Por kjo javë për mua s’do t’i ketë shtatë ditë
Prandaj, në vend se t’ju përgjigjem më duhet t’ju pyes:
A ka fuqi lamtumira ta ndajë zemrën nga zemra?
A ka fuqi syri ta mbajë lotin brenda?
A ka fuqi balli të ndahet nga sexhdja?
A kanë fuqi fjalët të thonë më shumë se heshtja?

NDARJA DHE TAKIMI

Nuk ka ndarje nëse s’ka takim
Nuk ka as takim nëse s’ka ndarje
Por takimin dhe ndarjen e mundëson koha dhe hapësira
Sikur të mungonin këto dyja, ne dy do të ishim Një
E ku do të ishim?

LETËR VËLLAIT

Kur ndjehesh i vetmuar mes qiellit dhe tokës
Mendo si ndjehen qielli dhe toka që të kanë në mes
Toka s’është e jotja por ti je nga toka
Prandaj, thuaj ballit le ta puthë tokën
E atëherë do ta ndjesh dashurinë e qiellit

JAM DËSHMITAR!

Unë jam biri i Ademit që vij në tokë me amanetin që s’e mbanë as toka.
Dallohem nga katërkëmbëshi, prandaj kam duar që i ngre drejt qiellit,
Por, nuk i lutem qiellit, sepse atë që bartë gjoksi im, nuk e bartin shtatë qiejt.

O I MBULUAR!

O i mbuluar!
Gjatë kohës kur unë po mahnitesha me dhuratat
Dikush nga skaji i qytetit bashkoi emrin tënd me emrin e Dhuruesit
Atëherë, e pyeta veten:
Çfarë të bëj me trupin që në fund më duhet t’ia kthej dheut?
Por përgjigja m’u kthye me pyetje:
Çfarë do të bësh me shpirtin që ke brenda vetes por që s’është i yti?

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja