LOTUSI PA GJEMBA

Ah lule pa gjemba që mban nektarin e përjetësisë
Gjallëro pranë lumejve të mjaltit që gufojnë e nuk shterojnë
E idhtueme është jeta kur ti nuk lulëzon në shpirtin njerëzor
Dashuria dhe frika e dridhin zemrën në krahëror
Prandaj dashuria dhe frika nga njerëzit ngatërrohen
Ujërat burojnë të pastër por gjatë rrugëtimit turbullohen
Të dridhesh nga frika - këtë s’do ta dëshiroje
Të dridhesh nga dashuria - këtë do ta kërkoje
Pyet ata që bëjnë dallimin tek gjërat që gjasojnë:
A mund t’i dashurojmë ata që na frikësojnë?
 
Lulëzo në shpirtin e qeshur o lule e amshueshme e lotusit
Se zemërimi  i bën keq të zemëruarit e jo zemruesit
Edhe pse ndryshku në hekur nga ajri e lagështia nis’
Ai i bën keq hekurit e jo ajrit e lagështisë
Zemërimi është si qeni që provon të të kafshojë
E sulmove apo ia mbathe ai njëlloj do të veprojë
Ndalu një çast e vështroje dhe ai ka për t’u ndalur
Kur sytë takohen me sy kanë shumë njëri-tjetrit për t’i falur
Kur zemërimi s’fiton dot, luan bishtin si qen
Ai që nuk të mund sot, nesër si mik te ti vjen
 
O zemra ime që në krahërorin e kësaj bote fjete
Ç’të duhet t’i gjesh të tjerët nëse veten nuk e gjete
Duaje dhimbjen tënde dhe mirëprite si një mik
Ajo është lajmëtare që të tregon se mund të jesh në rrezik
Ti mund t’i duash lulet pa i urryer gjembat
Ti mund ti duash njerëzit pa ua thyer zemrat
Ti mund t’i duash edhe gjembat nëse veten e zbulon
Bukuria s’të bën të lumtur nëse s’të dashurojnë e s’dashuron
Lotusi pa gjemba lulëzon nëse ti me gjemba tjetrin s’e lëndon
 
Gabimet i përsërisim nëse për to nuk ndëshkohemi
Por s’duhet të jemi të mençur që të dashurohemi
Mendja është për të dyshuar se zemra mëdyshje s’pranon
Kur ajo dashuron nga mendja dëshmi s’kërkon
Mendja është për të rrëfyer atë që në zemra ndjejmë
A mund ta duam drejtësinë nëse të drejtët i urrejmë?
Njerëzit flasin për veten kur veprat e tyre heshtin
Mos ler të ta vjedhin kohën se ditët e kësaj bote s’reshtin
Kur shpirti do ndahet nga trupi, s’do jemi të rinj a të vjetër
Po qemë të drejtë me veten do jemi me çdo zemër tjetër
 
Po deshe ta shuash kureshtjen se çfarë i dhurove kësaj bote
Mendo kush ndjehet më shumë, mungesa a prania jote?
Koha mund të të bëj që ca njerëz të mos i kujtosh
Por janë ca të tjerë që të bëjnë edhe kohën ta harrosh
Do ndjehesh i mallëngjyer sa herë për ta të mendosh
Ujite brenda teje farën e lotusit të amshueshëm
Fjala e Mirë është si pema e Librit të Madhnueshëm
Takoje këtë lule pa gjemba që lulëzon përjetë
Në suren e pesëdhjetë e gjashtë, ajeti njëzet e tetë
Të fala çdo zemre që lexon këto vargje
Me zemër të hapur po e mbyll këtë faqe
Ju dua të gjithëve, mbetshi në paqe!

Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com
https://www.facebook.com/fatmirmujafmp

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja