N

Thatësia mund të arrijë deri aty ku nuk arrin uji njëlloj si fshehtësia deri aty ku s’mund të arrijë dituria. Çdo gjë që nuk e dimë quhet fshehtësi dhe e tillë do të jetë deri në momentin që dija ta zbulojë. Njeriu është qenie që kërkon siguri për të ardhmen e tij dhe posaçërisht siguri nga krimi i cili mbin dhe zhvillohet po në shoqërinë njerëzore. Mirëpo, që kur ekziston bota, nuk mbahet mend të ketë pasur shoqëri njerëzore pa kriminelë për të cilët edhe librat e shenjtë kanë paraqitur ligje ndëshkuese. E çfarë është krimineli? A duhet të ketë diç më pak apo më shumë se të tjerët që të jetë i tillë? Një gjë dihet: krimineli ka aq mend sa të dijë se po bën krim dhe është i përkryer në lidhjen e asociacioneve të veta mendore që nga fillimi i realizimit të projektit të vet e deri në fshehjen e gjurmëve nga të tjerët. Por, ajo që e dallon nga të tjerët është fakti se ai nuk mund t’i bëjë mirë vetes pa i dëmtuar të tjerët. Po pse kjo përqasje egoiste? Kur dy njerëz shkëmbejnë ide, marrin dhe japin nga njëri-tjetri, prandaj edhe gjendja e tyre është emërtuar marrëdhënie. Aty ku ekziston marrëdhënia, ekziston edhe përfitimi i dyanshëm (pavarësisht llojit të përfitimit). Krimineli nuk konkurron me ide, nuk jep por dëshiron të marrë kështu që vetë akti i dëshirimit përbën praktikisht fillimin e krimit. Krimineli është agresiv ndërkaq agresiviteti është reagimi i atyre që nuk mund të japin por duan gjithsesi të marrin ose më saktësisht, nuk kanë se çfarë të ofrojnë si shkëmbim për atë që u duhet dhe në mungesë të kësaj, duan ta rrëmbejnë dhunshëm, fshehurazi apo haptazi. Krimineli është inferior, prandaj së jashtmi shfaq superioritet në përpjestim me shkallën e inferioritetit që ndjen brenda. Krimineli është edhe guximtar dhe guximi i tij rezulton nga mosdija e tij sepse të kesh guxim për të marrë atë që nuk e paguan dhe të dëmtosh tjetrin për ta kënaqur veten, domethënë të mos kesh dije që të gjitha këto t’i realizosh në një mënyrë tjetër: duke i dhënë tjetrit diçka që ai nuk e ka dhe duke marrë nga ai atë që nuk e ke, dualitet i natyrshëm ky i ekzistencës së dikotomive që plotësojnë njëra-tjetrën. Mjerisht, kriminale nuk janë vetëm veprat e banditëve, por edhe veprat e antibanditëve të cilët duke mos ditur ta pakësojnë krimin, e rrisin atë. Kriminalieti, në kuptimin e rëndomtë të fjalës, është vetëm një segment i krimit që rezulton si produkt i mënyrës së të menduarit të një shoqërie të tërë në djepin e të cilës përkundet krimi. Vjedhja, korrupsioni apo vrasja janë disa nga pasojat që inicohen nga një shkak e ky shkak është sfondi që përbën botëvështrimin e atyre që nuk e duan diturinë por duan të jetojnë nga të diturit. Sa më larg dijes, aq më larg marrdhënies dhe aq më afër krimit. Mbase kjo e shtynte dhe mësuesin e lashtë romak, Senekën të pohojë se me injoratët duhet të shoqërohemi aq sa të mos i lëmë të mendojnë vetëm me kokën e tyre sepse po i braktisëm tërësisht, kushedi se çfarë mund t’u shkrep në mendje. Nga kjo këshillë e e mësuesit të vjetër del edhe një pyetje për nxënësit e rinj: Nëse krimineli është injorant, çfarë është injoranca? Nëse nuk është kriminalitet, atëherë për mua është fshehtësi të cilën ende dituria s’e ka zbuluar e nëse dituria s’e ka zbuluar, unë i ngjaj thatësisë dhe do të mbetem i tillë deri sa të më arrijë uji. Nëse është kështu, shpresoj që uji të më vijë para se të më vrasin kriminelët, të paktën të mos vdes i etur, përndryshe vrasja ime do të prezantohet si qërim hesapesh mes kriminelësh sepse nëse jam injorant, jam edhe … ! A jeni të sigurtë?



Fatmir Muja

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja