VARGJE NGA BARIU I VETMUAR

Digju o qiri deri në agun e mëngjesit të ri
Digju derisa lapsin me shkop ta ndërroj sërish i vetmuari bari
Edhe nëse lapsi në vend të bojës është mbushur me gjakun e trupit tim
Vargjet që shkruaj me të, një ditë botës do t’i sjellin gëzim
Mos keni frikë nga shkopi me të cilin ditët e çobanisë i kam jetuar
Nga stanet e mora për t’u mbrojtur e jo për të sulmuar
Është vonë të hapësh pus në kullosat e fushave kur etja trupin ta djeg
Prandaj u ngjita në majat e maleve ku burimet s’shterojnë përjetë
Për ta kuptuar se ç’ndodh në fushë duhet të vështrosh nga lartësitë
Por as majat maleve nuk janë të thepisura ashtu siç na gënjejnë sytë
Vetminë e ndjeva në zemër kur njerëzit nuk i takova
Por atë që ma mësoi vetmia nga njerëzit kurrë nuk e mësova
Kam duruar në zemrën time dhembjen më të rëndë se bjeshka
Unë bariu i vetmuar që vetminë kurrë nuk e desha
 
Po ia ofrove qenit delen e therur ai e ha pa ngurrim
Po ia ngacmove delen e gjallë nga dhëmbët e tij s’ke shpëtim
Besnikëria matet me mundësinë për të bërë diçka që uni e kërkon
Por kur tjetri dëmtohet e lëndohet, ti veten nga kënaqësia e privon
Në mungesë të gjahut edhe gjahtari ka mëshirë
Në shtëpinë e boshatisur edhe hajduti është i mirë
Edhe pse qeni me ujkun farë e fis mund të jenë
I pari e sulmon të dytin kur i dyti rrotull tufës i vjen
Qeni s’e tradhëton bariun që ia jep ujin e bukën
Por kur barinjtë bëhen ujqër, kush mund ta ruaj tufën?
 
U sëmura dhe rënkova, ilaçin kërkova e kur u shërova, mjekun s’e harrova
Përkohësisht hoqa dorë nga mishi për të jetuar ditë më të mira
Se shtazët barngrënëse janë të buta e mishngrënëset – egërsira
Ushqimet e ndryshme tokësore  shkaktojnë sjellje të ndryshme njerëzore
Trupin e tërheq dheu e shpirtin Fryma Qiellore
Kur shpirti njëherë të ngrihet mbi baltën e botës
Bariu s’e lakmon asnjë mbret të tokës
 
Ah medet për atë mbret që u robërua nga mbretëria e vet!
Mjekun e rremë e mbajti afër dhe burgosi mjekun e vërtetë
Pastaj nga të gjithë kërkoi ilaçin, përveç nga mjeku i burgosur
Derisa sëmundja i tha: “Zotni, ti s’mund të jesh më mbret se ditët të janë sosur”
Atëherë nga shtrati i vdekjes urdhëroi: “Nxirreni mjekun nga qelia!”
Aman mor’ doktor më fal që vuajte për shkak të gabimeve të mia
Më fal që s’ta putha dorën me të cilën mjekohej mbretëria
“Jo zotni“– i tha mjeku – “falje kërkoji vetes që pa ilaç të ikën ditët e jetës!”
Dijetarët s’jetojnë në botë që njerëzit t’ua puthin dorën
Zemra mund ta durojë vuajtjen më shumë se sa duron mbreti kurorën
Por si mund të këndojë bilbili i mbyllur në të njëjtin kafaz me sorrën?!
 
Jo duke mbledhur, por duke zbritur arrihet te E Vërteta
Po s’i hoqëm gjërat e huaja prej vetes, a mund të jemi vetvetja?
Një zero mbas njëshit vlen më shumë se pafundësisht zero para tij
“Para” dhe “mbas” nga fjalori i zemrës fare do t’i heq e do t’i fshij
Atje ku frutat kanë formë të njëjtë e shije të ndryshme, atje do të arrij!
Atje ku mjalti i amshueshëm ëmbëlson krejt qenësinë, bëhen një paqja e zemra
Atje edhe të paditurit e kuptojnë se qenësia përbëhet nga Nëntëdhjetë e Nëntë Emra
Atje ku qumështi i përjetësisë pihet veç E Vërteta shihet
E këtu kur qiriu na falë dritë, tretet e shkrihet.
 
Ore, çfarë të bëj që dituria po më shtohet por budallallëku s’po më pakësohet?!
Boja e lapsit po më shterohet, qiriu prej dylli po harxhohet e agu i mëngjesit po afrohet
Më duhet ta marr sërish shkopin se këmbanat e deleve po më ftojnë
Ju merrni vargjet e mia se ndoshta një ditë në botë u gëzojnë
Këtu unë jam veç një bari o njerëzit e mi
Këtu edhe po t’i kem të gjitha pa juve prapë ndiej vetmi
Këtu u bashkofshim, atje mos u ndafshim,
Mirëupafshim!



Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja