PËR LULEN E DJEGUR NË POGRADEC

Mbase ti do të jetoje duke besuar te njerëzit pafundësisht
Por në jetë ka buzë që puthin e gënjejnë njëkohësisht
Dhe s’ka zemër që për hir të puthjes gënjeshtrën e harron
Se dhimbjen e të dytës e para s’e shëron.
 
Kur në kopshtin e jetës ti u dogje e m’i thave pranverat
Unë nuk qava pranë teje se thashë do më digjen lotët
Në flakët e atij zjarri vdiqën gënjeshtrat e mbeti vetëm e vërteta
Më thuaj a duhet të frikësohemi nga vdekja, nëse digjemi nga jeta?
Ndonjëherë o lule e djegur mjafton një çast për ta harruar gjithë jetën
Por çfarë të bëjmë kur nuk mjafton jeta për ta harruar një çast?
Çfarë të bëjmë kur duam, por s’duhet të jemi bashkë?
Unë i di pyetjet, ti i di përgjigjet, zjarri kthehet në hi e hiri më nuk digjet.
 
Njeriu i parë nga lakmia e hëngri frutin e ndaluar
Por as me gjethet e parajsës turpin dot s’e ka mbuluar
Frutat e gjethet në degën e një trungu bashkë jetojnë
Por gjethet shijen e frutave nuk mund ta mbulojnë
Ai frut i ndaluar hahet çdo ditë dhe botën na e ngushton
Ne themi: “E hëngri!” kur dikush nga lakmia nxiton, gabon dhe veten e harron…
 
Eh ç’u mbush bota
me rroba pa njerëz e njerëz pa rroba.
Nuk mund t’i harroj të mirat që njerëzit m’i kanë bërë
Por këto të mira nuk mund t’i përdor për t’i arsyetuar të këqiat që ia bëjnë vetes.
 
O lule e djegur buzë liqenit!
Të gjitha fjalët që u thanë në botë për dashurinë, nuk janë dashuria
Gjuha tragjike njerëzore përballë ndjenjave, zhvishet nga fuqia
A  mos duhet t’i dish gjuhët e folura të botës për t’i kuptuar dhimbjet?
Heshtja nuk ka lindur nga mungesa e fjalëve por nga pafuqia e tyre.
 
Kur vjeshta t’i ketë mbuluar me gjethe stolat prej druri
Do kthehem edhe një herë aty ku filloi zjarri e ta kundroj hirin
Në sytë e njerëzve do jem i panjohur edhe pse s’jam i huaj
Do hiqem si peshkatar edhe pse grepin në liqen nuk do ta gjuaj
Ata që më kanë njohur s’do jenë më aty për të më takuar
Disa pa dashje janë larguar, disa me dashje i kam harruar.
 
Kur lotët e ngrirë të një dimri një ditë pranvera do t’i thajë
Dikush i penduar tek dera jote për stinët e humbura do të qajë
Por ç’e do që lotët çdoherë dëshmojnë për një vonesë
Sikur njerëzit të mos vonoheshin, s’do kishte as pendesë.
 
Kur lotët e takimeve dhe ndarjeve të jenë mbytur në liqen
Një fjalë të vjetër ky shpirt sërish do ta sjell ndërmend:
“Çfarë hyn në zemër s’del më, edhe nëse zemra s’dhemb”
Edhe nëse s’gdhendet në gurë kjo fjalë që një i urtë e tha dikur,
Ata që e gdhendën në zemër nuk do ta harrojnë kurrë.
 
O lule e djegur në Pogradec!
Mos pyet nëse plagën e dashurisë mund ta shërojë dikush tjetër
veç të dashurit që e shaktoi atë?
E ç’dashuri është ajo që jeton nëpërmjet plagëve?!
Mendimi e mundëson vazhdimin e një ndjenje,
Ai është si uji që futet në lule, po qe uji i kripur, lulja thahet në stinën më të bukur
Kush lidhet me të kaluarën e hidhur, të ardhmen e ëmbël e ka humbur
“Të mos mendosh dhe të mendosh mbrapsht” – janë dy të këqiat e sojit tonë,
Mendo dhe lulëzo mes zjarresh ku ende digjet bota jonë
Në kopshtin e zemrave tona jeto ti përgjithmonë!



Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja