A DUHET TE JESH I KEQ QË TË ÇMENDESH APO DUHET TË ÇMENDESH QË TË JESH I KEQ?

Erdhëm pa dëshirën tonë në botë, por nuk mund të jetojmë pa dëshira. Erdhëm nga mosqenia por nuk mund ta pranojmë mosqenien tonë dhe të botës. Dëshiruam ta sundojmë botën, por bota na sundoi neve. Në çdo kohë ekzistuan dëshirat e njëjta, por çdo kohë kishte mjetet e ndryshme për t’i përmbushur ato. Ndërkaq, mungesa e mundësisë apo pafuqia për t’i realizuar dëshirat, solli çmendurinë si një lloj filozofie e të jetuarit e të gjithë mbretërve të robëruar nga mbretëritë e tyre, qofshin ata të lashtë apo postmodernë. Të gjithë mbretërit që luftuan për të marrë token, i mori toka, por çmenduritë e tyre nuk u varrosën për t’u kalbur por për të mbirë tek pasardhësit, prandaj ne u bëmë lloji i vetëm në tokë që luftuam pamëshirshëm llojin tonë, diçka që nuk e bëri asnjë lloj shtaze me llojin e vet. Megjithkëtë, çmenduria është pasojë e një shkaku ashtu siç janë veprimet pasojë e një besimi. Ajo nuk vjen thjesht nga mospërmbushja e një dëshire, por nga qëndrimi i dëshiruesit që nuk pajtohet me pafuqinë e tij, ose më mirë, me fuqinë e tij të kufizuar. Kush qëndron pas kësaj mospërmbajtje dhe qëndrimi shfrenues? A duhet të jesh i keq që të çmendesh apo duhet të çmendesh që të jesh i keq? Nëse jam i keq, mund të jap përgjigje të çmendur, nëse jam i çmendur, mund të jap përgjigje të keqe. Sido që të jem, pa juve jam vetëm një dorë, kështu që s’mund të duartrokas vetëm edhe po të jem mbret.



Fatmir Muja



FATMIRMUJA.AL
FATMIRMUJA.COM



"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja