ME EMRIN E TIJ

Kur era fryn dhe rrëmbyeshëm merr gjethet nga drunjët, asgjë s’mund të gjej tjetër veç Emrit të Atij që e di sa gjethe ranë mbi dhé e sa mbetën në drunj.  Kur fati më çon në shkretëtirat e kësaj bote dhe trupi më digjet nga etja, asgjë s’mund të më freskojë veç Emrit të Atij që ujin e ka bërë pikënisjen e çdo gjëje. Kur zemra trazohet për ta thënë atë që ka brenda, por gjuha lidhet me nyjen e pafuqisë, asgjë s’mund të më bëjë të flas veç Emrit të Atij që m’i mësoi të gjithë emrat. Kur këmbët nuk mund të hapërojnë në rrugët e jetës dhe mbetem aty ku nuk duhet të jem, asgjë nuk më bën të ecë veç Emrit të Atij që m’i mësoi të gjitha rrugët. Kur mendja dorëzohet nga vetë ekzistenca e saj, dhe nuk mund ta gjykojë jetën që qëndron më lartë se ajo, nuk mund të mendoj asgjë tjetër veç Emrit të Tij. Kur dhimbjet më godasin shpirtin dhe dikush nga njerëzit thotë: “Ah sa gjynah!”, ngrihem mbi dhimbjet e mia veç me emrin “Allah!” 



Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja