FARA E NJERIUT

Një yll ndizet, një tjetër shuhet! 
Ekzistenca krijohet dhe shkatërrohet në të njëjtën kohë.
Lindja e diellit, edhe pavetëdije, të bën ta ndjesh një fillim, e perëndimi i tij, një fund.
Zemra, i vetmi organ i gjallesave frymore që nuk pushon deri në çastin e ndarjes nga kjo botë, vazhdon të rreh në gjoksat e të zgjuarve dhe të fjeturve.
Zogjtë fluturojnë në qiell por fundin e kanë në tokë! Në të njëjtën tokë, ku farërat e bimëve mbijnë pasi të jenë futur në të, duke çarë fortësinë e shtresës së rëndë të dheut që i mbulon. Ato, edhe në këtë çast, gjallërojnë duke e qëndisur tokën me ngjyrat e jetës së përkohëshme. Një farë e bimës e futur në thellësinë e tokës, nuk e pranon shpërbërjen e saj. Me futjen e saj në dhe, ajo niset drejt gjallërisë, duke shpërthyer nga toka për tu drejtuar kah dielli. 
E fara e njeriut?!
Diku nga thellësia e qenies, nga prania e ekzistencës, vjen pyetja e cila ka brenda edhe përgjigjen? Ç’është ajo që ecën pa këmbë?! Një pikë uji nis udhëtimin drejt jetës. Një pikë pa mend në të cilën paraqitet të menduarit. Një pikë pa veshë e pa sy në të cilën paraqiten të dëgjuarit dhe shikuarit. Një pikë pa dëshirë dhe vullnet në të cilën paraqitet dëshira dhe vullneti. Dhe ja, njeriu, krijesa me më së shumti dëshira, vjen në botë pa dëshirën e tij. Më i dijshmi vjen duke mos ditur për stacionin e jetës së tij të përkohëshme. Çdo ardhje e natyrshme e tij në botë, është e shoqëruar me praninë e dhimbjes. Njeriu, përveç se vjen në tokë duke qarë, ai gjithashtu vjen edhe duke i shkaktuar dhimbje të ëmës së tij. Por, aty ku është dhimbja është edhe dashuria. Për hir të dashurisë janë bashkuar fillimi me fundin sepse për hir të saj ekzistojnë edhe fillimi, edhe fundi. 

Fatmir Muja 2009
www.fatmirmuja.com

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja