A DO T’IA DINIM VLERËN SHPIRTIT SIKUR TA BLINIM ME PARA?

Shpirti, ky emër i vjetër por i pavjetruar, shfaqet prapë në botën që jetojmë por që s’është e jona. Shpirti që nga dijetarët tradicionalë cilësohej si uji në tëndafil, si zjarri në thëngjill, si vaji në ulli, në kohën e konsumizmit edhe pse nuk njihet, nuk quhet fshehtësi. Gjykuam se mendja dhe truri ynë janë komponentet tona më të rëndësishme, por harruam se nga erdhi ky gjykim. Duke u përpjekur ta zotërojmë botën para se ta zotërojmë veten, harruam se ç’do të thotë prania e vetes në botë. Harresa na bëri t’i studijojmë retë pa menduar për qiellin, degët pa menduar për rrënjën, syrin pa menduar për dritën, derisa vetmia zbriti ne thellësinë e zemrave dhe na pikëlloi për të kaluarën e na bëri me ankth për të ardhmen. Nga ndjenja e padurueshme e kësaj vetmie u detyruam t’i pyesim teologët modernë për shpirtin, por feja e tyre e reduktuar në produkt kulturor të kohës, nuk na dha përgjigje, por thjeshtë na ndaloi të bënim pyetje. Sidoqoftë, shpirti nuk u qetësua dhe nuk do të qetësohet kurrë me ushqimet e trupit. Çdo dashuri ka epsh por çdo epsh nuk është dashuri, prandaj dhimbjet dhe vuajtjet që shkakton dashuria, nuk shërohen me asnjë kënaqje epshore. Dehja e dhimbjes nuk është shërimi i saj. Dashuria i takon shpirtit dhe epshi trupit, ndërkaq të dyja bashkë i takojnë njeriut që edhe në globalitet mund të pyes: A do t’ia dinim vlerën shpirtit sikur ta blinim me para? Edhe kjo, njëlloj si shpirti, pyetje e vjetër që kërkon përgjigje të re. Por, para se të merrnim përgjigje, me një ekzaminim shumë të kujdesshëm do të vërenim se jorastësisht, botës ku jetojmë i kemi zhveshur konceptin e universalizmit, për ta reduktuar në globalizëm. Globalizimi nënkupton vetëm globin, ndërkaq universalizmi rrjedh nga UNI që na e kujton njëshin. Njëshi na kujton vetëm një realitet të ekzistencës. Gjithçka buron nga Njëshi dhe i kthehet Atij. Tërndafili mbetet pa ujë, thëngjilli pa zjarr, ulliri pa vaj dhe shpirti pa fshehtësitë e të djeshmes dhe të nesërmes duke marrë përgjigjen: “…sot ta kemi hequr perden dhe po sheh qartë…” (50:22).



Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja