DINI E IMANI







Ujin e zjarrin, Tokën e ajrin
dhe krejt gjithësinë brenda e kam
Të gjithëve u takoj por i asnjërit nuk jam
Unë kurrë nuk kam lindur e as kurrë nuk vdes
Por trupi im është lindur dhe për të vdekjen e pres
Qefinin e bardhë e kam puthur kur veten e kam gjetur
Kam ikur nga bota e prapë në botë kam mbetur
Jam ndezur në Qiell për të ndriçuar në Tokë
Edhe kur nuk shoqërohem, nuk mbetem kurrë pa shokë
Se unë guxoj të digjem që të mbetem në dritë
Jam ai që në dashuri bie pesë herë në ditë
Jam ai që nga deti i gjynaheve kthehem në bregun e pendimit
Gëzimet e mia mbijnë, kur zemra më çahet prej pikëllimit
Gjithmonë jam i ri, por vargjet i kam të vjetra
Asnjë gjallesë në Tokë s’pranon të jetë si tjetra
Njerëzit aftësohen edhe mbas lindjes, majmunët vijnë të gatshëm
Prandaj për të humbur kohë jam shumë i papërshtatshëm
Me heshtjen dashurohem kur kam shumë për të thënë
Në kohën e lirë jam tepër i zënë
E fjalët e mia në mend s’mund të mos i mbani
Se shpirti im është DINI, e trupi IMANI.
 
Të vërtetën e zemrës kot ke për ta ndrydhur
Dashuria flet edhe me gojë të mbyllur
E ti po deshe, rri këtu në heshtje
Rri se loti është pjesë e jetës por nuk është vetë jeta
Rri këtu se egoja ka më shumë shtresa se qepa
Sapo ta heqësh një cipë, vazhdon të të shfaqet tjetra
Sa më shumë ta zhveshësh qepën, më shumë sytë do të përloten
Sa më shumë ta zhveshësh egon, më shumë shpirti e njeh botën
E kur shtresat të jenë hequr, për herë të parë njihesh me veten
E kupton se lindja e vdekja janë dy penjë që thurin jetën
Po ç’t’i bësh, ky është fati, ndonjëherë ngatërrohen penjtë
Mençuria jote dëshmohet, kur ke punë me budallenjtë
Ore, qesh ti se s’ka gjë, është punë e thellë kjo
Për budallallëkun s’ka ilaç, për budallain po
Kështuqë, po pate punë me mua
I shpalos jo budallallëqet e mia, por mençuritë tua
Se i drejti duhet të humbasë që të fitojë drejtësia
I pastërti duhet të përlyhet që të fitojë pastërtia
E unë guxoj të humbas, guxoj edhe të përlyhem
Guxoj forcën ta mas, por ama duhet të thyhem
Guxoj se në njërën anë mbaj librin,
në tjetrën hekurin
e midis tyre peshoren
Brenda vetes mbaj shtazoren, djallzoren dhe engjëlloren
Cila nga këto të trija brenda meje ka për të ngadhënjyer?
Natyrisht, ajo të cilën më shumë kam për ta ushqyer
E unë përveçse i zgjedh ushqimet, guxoj të jem edhe i uritur
Durim domethënë: të jesh i mirësjellshëm kur je duke pritur
Kur ujin ta kesh afër, të mos nxitosh në mbytjen e etjes
Të mos e marrësh nga tjetri, atë që s’mund ta japësh prej vetes
Se sado të jetë larg burimi, lumi mbërrin te Oqeani
Se rrjedha ime është DINI, e mbërritja, IMANI.
 
Ore,
rri sa të duash ti se për mua bezdi nuk ka
Për Falësin s’është gjë e madhe falja e gjynaheve të mëdha
Meqë veten e duroj dhe e pranoj me të gjitha gjynahet e mangësitë
Atëherë përse të mos i duroj dhe pranoj edhe të tjerët?
Gabime ka kudo, duke ecur këmbët mund t’i thyesh a lëndosh
Por kjo nuk do të thotë të mos ecësh, rrugëtimin të mos e vazhdosh
Të shumtët që i njeh si të përkushtuar, nuk është se janë të pagabuar
Por thjesht nuk janë vënë në sprovë, rasti nuk u është ofruar
Ti zbrit në Lulen e Ekzistencës e me Nektarin e Amshueshëm ushqehu
Mjaft more frymë në perferi, në Qendrën e Qenies tani kthehu
Mjaftueshëm ke jetuar në degë, për Rrënjët gjë pa ditur
Rrugëtimi pa pikëmbërritje, duhet të të ketë mërzitur
Mjaftueshëm ke jetuar bardh e zi, jeta ka më shumë ngjyra
Të njëjtën gjë mund ta përjetosh në pafundësisht mënyra
Mos pyet ku i marr fjalët se unë jam vetë Fjalë
Gjithçka e kam të brendashkruar në Shpirtin Primordial
Hyr në heshtjen time dhe dëgjoje simfoninë
Hyr në zbrazëtirën time dhe ndjeje plotësinë
Hyr në dimrin tim e gjeji pranverat e humbura
Hyr në netët e mia e bëji ditët e lumtura
Hyr në gjynahet e mia e gjeji mirësitë
Hyr në urrejtjet e mia e gjeji dashuritë
Se zemra ime e vogël është hapur për gjëra të mëdha
Ajo e kupton secilin, prandaj gjykime nuk ka…
Epo natyrisht që e mbaj fjalën se fjalët janë për t’u mbajtur
Se unë mbetem mirë edhe kur punët keq të më kenë vajtur
Se unë s’mbetem pa shpirt edhe kur mbetem pa emër
Se lekun e mbaj në xhep e nuk e fus në zemër
Karrigen e mbaj për t’u ulur e jo për t’u përulur
Shtratin e kam për t’u çlodhur e jo për t’u shthurur
Epshi është si qeni që ha e pi edhe ku s’duhet
Ai gjithmonë thotë “po”, nëse “jo” nuk i thuhet
E “po-të” dhe “jo-të” e mia, në mend s’mund të mos i mbani
Se zëri im është DINI, e fjala, IMANI.
 
Mendimi i parë kur zgjohesh dhe i fundit kur të biesh
Është çelësi dhe dryni i ditës sate
Dita mbushet me zërat e të tjerëve, qofshin zhurmë apo melodi
Ti mund ta dish ku e ke zemrën, atëherë kur ngelesh në vetmi
Ti mund ta veshësh mërzinë e pikëllimin me buzëqeshje, dihet kjo,
Por kur të kesh mbetur fare vetëm, mendja shkon te zemra që do,
Aty ku të vajti mendja, aty është zemra jote
Gërmo në brendinë e zemrës e dil nga qelia e kësaj bote
Se në paç veç pak zemër, lotët nuk do t’i mbash
Jo nga fjalët e mia, por nga ndjesitë tua do të qash
Se nëse as dashuria nuk mund të të përlotë
Vetja nuk të duhet edhe nëse të buzëqeshë gjithë kjo botë
Nëse nuk je aq i dobët  sa të përfshihesh nga mëshira e dhembshuria
Nuk do të jesh as aq i fortë sa të luftosh e të shpëtosh nga egërsia
Nëse nuk je aq i ndjeshëm sa të qash edhe pa bërë faj
Zemra do të mbetet e ngurtësuar edhe sikur toka me qiej të qajë
E vetmja taragjedi është shkurorëzimi nga urtësia e përndritja
Rrugëtimi është i kotë, kur nuk ia vlen mbërritja,
Takimin me Të Dashurin e bën të bukur pritja
E kur unë të jem ndarë nga ju, në mundshi, mos qani
Se pritja ime është DINI, e takimi, IMANI.
 
Në këtë përbotshmëri mund të çmësosh nga dy dijetarë:
Njëri e di se njohuritë e gjithë pemës ruhen në farë
Tjetri: “Ku ruhen njohuritë e farës? Për këtë ji kureshtar!”
Epo natyrisht që dituria të bën edhe të pafrikë, edhe të përvuajtur
Aq sa e vlerëson veten, po kaq edhe ke për ta ruajtur
Të shëndetshëm a të sëmurë,
të varfër a të pasur,
të zotë a të mjerë,
Në botë ka dy lloj’ njerëzish: me DIN e IMAN dhe të tjerë
Askush nuk është i prirur të ruajë diçka që e sheh si të pavlerë
E ti po s’e dite vlerën e shpirit tënd, natyrisht që s’do ta ruash
Megjithëse engjëjt janë përulur për ty, ti prapë do të vuash
Me emrin më të padenjë veten do ta quash,
Nga Qielli je, por në Qiell do të poshtërohesh
Nga balta je, por në baltë do të turpërohesh,
Nga dija je, por me paditurinë do të lavdërohesh…
Larg qoftë!
Larg qoftë të mbetesh në palumturi, por ama
nëse tjetrin e gëzon takimi me ty, e ti i dhurove veç pritje,
nëse tjetrit ia mbylle derën, edhe pse të nderoi me trokitje,
nëse përqafimin e dashamirësit e shpërbleve me goditje,
nëse dashurinë ndaj Mikut e zëvendësove me urrejtjen ndaj armikut,
Atëherë ke bërë mjaftueshëm për të qenë i palumtur
DININ s’e ke gjetur, IMANIN e ke humbur.
 
Eh!
S’ia vlen t’i numërosh rrugët që mund të t’i shfaqë jeta
Të duhet veç një: rruga që të çon te vetja
 “Të besosh” nuk domethënë “të dish”,
Prandaj, rrugën për në zemrën tënde, kërkoje sërish dhe sërish
Sot duke ecur mund t’i shkelim me këmbë mijëra milingona
Por nesër mijëra milingona do të ushqehen me këmbët tona
E ne kokë e këmbë kemi,
por as kokë e as këmbë nuk jemi
Trupin që e ushqejmë çdo ditë, një ditë bëhet ushqim
Prandaj, s’lejoj duar të tjera ta shkruajnë epitafin tim
Se për Tokën e Qiellin unë jam vendtakim
Se trupin e kam laps, gjakun e kam bojë
Edhe kur largohem, papë këtu qëndroj
Veç asht edhe mish nuk fsheh kjo lëkurë
Zemrën e kam qelq, shpirtin e kam nur
Nga trupi ndahem, nga E Vërteta kurrë
E ndarjen time në mend s’mund të mos e mbani
Se lindja ime është DINI, e vdekja, IMANI
E pres në takim kë ndjen e s’ndjen frikë
As vargut të fundit nuk po i vë pikë
 
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.al
www.fatmirmuja.com
Shkurt 2018






"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja