SOFRA ~ 2

O i përndritur!
Na shpalos një fshehtësi se vërtetë jemi të habitur,
Delet theren çdo ditë e qengjat për kurban flijohen,
Qentë jetojnë gjer në pleqëri e prapë sa delet nuk shtohen,
Qengjave ua marrim jetën e nuk i lëmë të mbarësohen,
Këlyshët bëhen qenë, pjellin e sa delet nuk shumohen,
Një dele bën më pak qengja se sa bën këlyshë një qenushe
Dhe prapë delet duke u shtuar, i japin hijeshi çdo stani e fushe,
Ç’është kjo punë o i përndritshëm, a ka fshehtësi në çdo frymor?
Ka, dhe e bekuar është ajo zemër që dashurohet në Sekretin Hyjnor,
Një tufë të tërë delesh e ruan një qen i vetëm,
Ujkun e ka të afërt, po për delet rrezikon jetën,
Mishngrënës është, por delet i kursen për hatër të çobanit,
Meqë jo ujku, por çobani e ushqen, ai bëhet roje e stanit,
Por ama sa delet, qentë nuk mund të shtohen asnjëherë
Se nata ka tri pjesë e pjesa e saj e tretë quhet seher
Kjo është një kohë jo e gjatë, para se të ketë aguar
Janë çastet e lutjeve të natës kur balli me tokën duhet takuar
Bekimi Hyjnor zbret në zemra, ashtu siç e zbret ujin mbi dhé
Qentë lehin gjithë natën, e në këtë pjesë të saj gjumi i ze
Ndërsa delet pikërisht në këtë kohë, zgjuar ke për t’i gjetur
Mëshira e Pafundme e të Gjallit, llojin e tyre e ka prekur
Për ta mbajtur harmoninë e ekzistencës, qentë s’i ka lënë të shtohen më shumë,
Por kjo s’është e dhembshme, se qeni kur s’fle, besnikërisht kryen çdo punë,
E dhembshme është që shumë njerëz flejnë, edhe kur nuk janë në gjumë.
 
Fatmir Muja
Ramazan 2018



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja