KRIPË E SHEQER

“Shkruaj!” u urdhërua dhe shkroi kalemi
Nga uji e balta u bë Ademi
Pastaj Havaja nga brinja e tij
Iu shfaq Ademit për t’i bërë shoqëri
Burri ia del vetëm?! Aman çfarë thua?
Po as në xhenet burri s’qe pa grua,
Bashkë e hëngrën frutin, bashkë ranë në gabim
Ademit Havaja iu dha në rrugëtim
Dhe meqë me sprova Ai bëri dynjanë
Xhenetin ia mori, por ia la Havanë
I lëshoi të udhëtojnë në dhé e në det
Së bashku çdo sprovë ta kalojnë më lehtë
Kripën shpejt e gjetën se në det qe e gatshme
Ushqimit njerëzor iu bë e pandshme
Por gjetja e sheqerit do dije më të thellë
Do gërmim në tokë, do pjekje në diell
Dhe u gjet sheqeri si pasojë e Dijes
Jo për shkak të ngjyrës, po për shkak të shijes.
 
Burri është si kripa, gruaja si sheqeri
Ai që s’dallon shijet, mbetet më i mjeri
Kripa u jep shije gjërave të pashijshme
Sheqeri u bën derman gjërave të pakapërdishme
E hidhur a e thartë, nuk është me rëndësi
Doza e sheqerit e sjell në terezi
Me sheqer të ëmbël bëjmë gurin e drurin
Po u prish sheqeri, Haj medet për burrin
 
Me akull e borë kripa nuk jeton
I shkrin e i humb, sapo i takon
Po çfarë bën sheqeri nga kripa nuk pritet
Përveç se jep shije, edhe di të ngjitet
Me shijen e vet sheqeri është mbret
Po e takoi ujin, do ta bëjë sherbet
Ku qëndron fshehtësia, ec e bjeri në fije
Sa të njëjtë në pamje, aq të ndryshëm në shije
Me mijëra krijesa jetojnë në det
Asnjëra si kripa shije nuk i jep
Po ndryshe nga sherbeti është uji i tij
Të gjithë në të lahen, askush s’do ta pijë.
 
Mendimet e burrit gruaja nuk i njeh
Por fshehtësitë e tij me zemër i sheh
Dhe meqë me zemër gratë qendrojnë më lart
Burrat e ndjejnë veten të pabarabartë
Duke mos u ngritur në lartësinë e zemrës
Kërkojnë gratë t’i zbresin në shkallën e mendjes
Dhe gratë që harrojnë se janë si sheqer
Vjen dallga e kripur rrëmbyeshëm i merr
Por ka edhe burra që gjejnë zemrën e vet
Ngritjen gjer te gratë e kanë më të lehtë
Sepse çdo njeri brenda vetes ka
Edhe një Adem, edhe një Hava.
 
I gjithë udhëtimi është zbritje e ngritje
Takimet më të bukura kanë ndodhur pa pritje
Ashtu siç e shkroi në fillim kalemi
Pa pritur Havanë ta takojë Ademi
Mjafton njohja e tyre të jetë shembëlltyrë
Kush s’i shijon gjërat, flet vetëm për ngjyrë
Ngjyra e këtyre germave është pa pikë rëndësie
Nëse këto vargje nuk të kanë lënë shije
Kripë a sheqer, çfarëdo që të jesh
Tanimë takimi ka ndodhur mes nesh.
Fatmir Muja
Maj 2018



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja