SOFRA ~ 1

Qofshin të madhëruar Nëntëdhjet e Nëntë Emrat
që i mbajnë gjallë zemrat,
dhe qofshin të uruara në çdo trokitje
ato zemra që me durim e kanë bërë të bukur çdo pritje!
Qoftë i lavdëruar Ai që i ka bërë shpirtrat të ndjejnë pikëllim
kur trupat përjetojnë ndarje
dhe gjynahet që janë bërë nga padurimi, i ka shpërblyer me Falje.
Qoftë i paharruar ai Elif me të cilin Emri i Tij shkruhet,
dhe qoftë e shpëtuar çdo zemër që për hir të Tij duhet!
Qoftë e përnderuar ajo fshehtësi që brenda fjalës bismilah ruhet
dhe qoftë e vazhdueshme ajo gjendje që përjetohet me Të,
përballë së cilës dorëzohen të gjitha gjuhët.
Qoftë falënderuar aq sa lotë kanë pikuar dhe aq sa lotë janë mbajtur,
Ai që me Dhembshurinë e Vet, zemërthyerve në zemra u ka vajtur!
Vendi ku Ai vështron, s’janë pamjet tona por zemrat,
prandaj njeriut prej balte, ia ka mësuar të gjithë Emrat, 
Qofshin të shëruara ato zemra që kanë rënë në sëmundje a mjerim,
Mos i ngjafshin diamantit të rënë në duart e të paditurit
që vlerën ia sheh me shpërfillje e nënçmim! Amin! ~ fatmirmuja.al



1 Ramazan 2018



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja