FJALËT E NJË KALORËSI (2)

Po!
Mu këtu, në zemrën time janë Shtatë Qiejt E Pafund
Por asgjë e vlefshme nuk arrihet pa mund
Pikëmbërritja varet nga udhëtimi që e bën udhëtari
Ashtu si hiri që varet nga djegia që e bën zjarri
Në botë jam si kalorësi nga beteja i kthyer
Lufta është e hidhur, por s’duhet të jetë e parrëfyer
Ta dish se çdo udhërrëfyes ka qenë edhe zemërthyer
Po s’e gjete paqen tek vetja, veten ke për ta gënjyer
Përgënjeshtroji gënjeshtrat pa u marrë me asnjë gënjeshtar
Qeshju edhe atyre që duan të të shohin duke qarë
Lulja dhe gjembat e bëjnë trëndafilin vetëm duke mos qenë të ndarë
Një kuvendim të moçëm mes nxënësit dhe mësuesit po ta rrëfej, unë kalorësi zemërvrarë:
Nxënësi pyeti mjeshtrin: “Përse ma mëson luftën e më flet për paqen kur vetë je luftëtar?”
Mjeshtri pyeti nxënësin: “A është më mirë të jesh në kopsht luftëtar apo në luftë kopshtar?”
Këto janë fjalë të vjetra që gjithnjë do të mbeten të reja
Lulet e kopshtit i kam ujitur me gjakun që kam derdhur në beteja
Luftërat kanë nisur për shkak se egoja s’e ka pranuar gabimin
Nga pafuqia për të thënë “Më fal!”, bota e ka parë trishtimin.

Do të gabosh nëse përpiqesh të jesh i ruajtur nga gabimet
E po ngulmove në gabime, nga pasojat e tyre i merr shpërblimet
Nuk do të jesh i mësuar nëse nuk çmësohesh nga mësimet
Po s’u pikëllove për ndarjet, s’do të gëzohesh për takimet
Orën e ke të bukur por duhet ta mbash edhe busullën
Se kot do ta masësh kohën, po e gabove udhën
Se diku do të të shpiejnë edhe rrugët pa dalje
Ata që s’e dinë ku gabojnë, nuk do të falënderohen për falje
Çdo rrugëtim do të jetë i ri edhe pse rruga është e vjetër
Po s’qave për gjynahet tua, nga pasojat e tyre do të qash patjetër.
 
Dyshimi dhe besimi janë vllezër që në të njëjtën mitër janë rritur
Të paditurit besojnë se fundin e dijes e kanë arritur
Dhimbjet e mëdha në shpirtrat e mëdhenj udhëtojnë,
Se veç shpirtrat e mëdhenj dhimbjet e mëdha i durojnë.
Dhimbjet tua janë të vërteta edhe pse të tjerët s’i ndjejnë
Ata që janë zemërthyer edhe trishtimin bukur e rrëfejnë
Ata që vetë janë gënjyer, padashje gjithë botën e gënjejnë
Ata që duan të jenë të pyetur, përgjigjet nuk do t’i kthejnë
Nuk do të bëhesh më i bukur nëse të tjerët të pëlqejnë
Nuk do të bëhesh më i shëmtuar nëse të tjerët të urrejnë
Nuk do të jesh i humbur nëse të tjerët nuk të gjejnë
Dhimbjet e kënaqësitë janë dy brigje, mes tyre rrjedh lumi i jetës
Në zemrat e shpirtrave të vegjël mos derdh fjalë të mëdha të së Vërtetës
Se liqeni nuk mund ta mbajë oqeanin brenda vetes.



Kur trupat etje ndjejnë
Ca pika uji të burimeve më shumë se të gjitha detet vlejnë
Kur shpirtrat mallëngjehen
Edhe pse nuk e urrejnë Tokën, në Qiell duan të kthehen
Më shumë do të mësosh nga heshtja jote se nga fjalët e gjithë botës
Do ta kuptosh se ti je vendtakimi i Qiellit dhe Tokës
Më shumë do t’i ndjesh dhimbjet e vogla se kënaqësitë e mëdha
Do ta kuptosh se ti je vetë ilaçi, atëherë kur shërim nuk ka
Më shumë do të pendohesh që me gjëra të vogla je kënaqur
Se ti për të qenë i vogël në ekzistencë nuk je shfaqur
Mos u përgjigj ndryshe nëse zemra për diçka thotë “jo!”
Dhimbjes nuk mund t’i ikësh, vuajtjes po.

Po!
Jeta më ka plagosur që të dukem i bukur edhe kur jam i gjakosur
Së jashtmi jam i përvuajtur, së brendshmi lumturia s’ka të sosur
Kur uji është jashtë anijes, ajo lundron, po u fut brenda, ka për t’u fundosur
Kur mbetesh vetëvetja ti jeton, kur tjetërsohesh, qenia për së gjalli ka për t’u varrosur
Pluhuri kalërimin në të njëjtën kohë e ka mbuluar dhe shpalosur
Në botë jam si kalorësi që gjakun e betejave e mban në sy
S’kam ardhur të t’i fshij lotët, kam ardhur të qaj bashkë me ty
S’kam ardhur të ta vras buzëqeshjen, kam ardhur bashkë të qeshim
Pritja është e bukur kur vijnë ata që i presim
Jeta është e bukur kur kemi përse të vdesim
Vdekja është e bukur kur kemi përse të jetojmë
Prania është e bukur ku ndjehet se mungojmë.
  
Gëzimet do t’i ndash me të tjerët
por dhimbjet me asnjërin s’mund t’i ndash
Gjërat që të kanë bërë të qeshësh,
kur kthehen në kujtime do të të bëjnë të qash
E kur të gjitha fetë të jenë bërë kundër Zotit
Lutja jote le të jetë takim i buzëqeshjes dhe lotit
Duart tua le të ngrihen përgjërueshëm kah Qielli
Duaje ekzistencën ashtu siç e do Tokën Dielli
Dielli e ngroh Tokën por asgjë nga ajo s’kërkon
Zemra bëhet e gjallë veç atëherë kur dashuron
Aty ku është e pranishme frika, dashuria mungon
Fjalët e mia bëhen të bukura atëherë kur ti i dëgjon
Germat e mia bëhen të bukura atëherë kur ti i lexon
Mohimi bëhet i bukur atëherë kur pohimi nuk mungon
Nuk do të mbetet e jotja asgjë që i more kësaj bote
Nëse nuk thua “Jo!”, ç’kuptim ka “Po-ja” jote?
Fjala e Mëshirës së Botëve zemrën gjallë le ta mbajë:
“Vlera e një pune matet me fundin e saj.”
 
fatmirmuja.al
fatmirmuja.com
2016

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja