LULJA

Ndonjëherë pyetjet janë dhimbje e përgjigjet ilaç për t’u shëruar
Ndonjëherë prania jote nuk çmohet deri sa ti të kesh munguar,
Pergjigjet më të mëdha në jetë janë ato që mund t'i kthesh pa fjalë
Ca zemra do ta ndjejnë mungesën tënde, atëherë kur shohin se edhe pa to ia ke dalë
Fara jeton në errësirë që në dritë të jetojnë petalet
Për ta shfaqur bukurinë, ty kurrë nuk të duhen fjalët
Heshtja është gjuha e të dashuruarve që pa fjalë kuptohen më lehtë
Dashuronjësi nuk e poshtëron kurrë të dashurin E Vet
Aty ku frika është e pranishme, dashuria nuk bëhet e qenësishme
Nga zemra jote në zemrën time, vjen një pyetje e rëndësishme:
“Meqë aty ku frika ekziston, dashuritë nuk gjallërohen,
Atëherë, përse të dashuruarit nga njeri-tjetri frikësohen?”
Se ç’fshehtësi ndodhet në farë e ka zbuluar petalja
Të dashuruarit s’frikësohen nga njëri-tjetri, ata frikësohen veç nga ndarja.



Për t’u bërë i palumtur të duhet diçka, për të qenë i lumtur, asgjë
E sheh ti që dashuria e bën të mundur të flasim e të këndojmë pa zë?
Fluturat janë lule që fluturojnë në Qiell e lulet flutura që gufojnë të Tokë
Shih nëse je i denjë për t’u shoqëruar para se të nisesh për të kërkuar shokë
Se duhet lule të jesh që shoqërinë e fluturave ta kesh
Se duhet nektar të jesh që bletën ta bësh mikeshë
Se duhet aromë të jesh që të të afrohen dhe të mos dëshirojnë nga ti për t’u ndarë
Se edhe gëzimi i njeriut aromave të luleve u ka ngjarë
Ai nuk mund të shpërthejë kurrë nga shpirtrat e tharë
Aromë, petale, vesë e nektar: të gjitha kanë qenë në farë
Por fara është dashur të çahet, bukuritë e saj për t’u parë
E kush nuk ka guxim t’i përjetojë çastet e çarjes
S’e njeh gëzimin e takimit e as dhimbjen e ndarjes.
 
O vesë e bukur që pikon në mëngjeset e shpirtit të përvuajtur
Tunde pak qenien tënde dhe shih sa gëzime brenda teje janë ruajtur
Dhe pastaj bjer në paqe që është natyra jote e vërtetë
Ti nuk mund ta kesh kohën por koha për ty është jetë
E bukur është ajo jetë kur nuk ndjen keqardhje pse ditët të kanë mbaruar,
E bukur është ajo vdekje kur nuk ndjen keqardhje pse ke jetuar
Por nga lindja deri te vdekja nuk është jeta e tërë
Gjynahet tona më të mëdha janë ato që lehtësisht mund të mos i kishim bërë
Dhimbja trupore është e mrekullueshme sepse të kthen në kohën e tanishme
Dhe atëherë për mendjen, e shkuara dhe e ardhmja s’janë më të rëndësishme
Derisa të mos ketë pushuar dhimbja, mendja s’do të mund të sajojë gjëra
E kur askund nuk të dhemb, veçohu pa u ndarë nga e Tëra.

Më dëgjo!
E di që nga njerëzit je lënduar, je shkelur, je fyer, je këputur
E di që nuk të kanë ruajtur edhe atëherë kur të kanë puthur
Edhe atëherë kur u je dashur, e di që të kanë përbuzur
Mjerë për atë që mund të flasë për ligësitë e tij, pa u skuqur
Por ama edhe ti dije një të vërtetë të vockël që jo të gjithë e kuptojnë
Sjelljet e njerëzve nga dhimbjet e tyre burojnë e jo nga qëllimi që ty të të lëndojnë
Ndonjëherë nuk është ndershmëri, një gjë që thuhet me dy fjalë, ta thuash me tri
E pakta që bëhet me zemër vlen më shumë se e shumta që bëhet pa dashuri
Unë do të bëhem dhé i Tokës që ti të rritesh në Dritën e Qiellit
Do të bëhem ujë që hyn në rrënjët tua dhe udhëton brenda kërcellit
S’do të flas mirë për ty edhe pse thua se me këto fjalë po ta shtoj jetën
Se po e lavdërove atë që të lavdëron, i bie ta lavdërosh veten
S’do të flas keq për ty edhe pse me ty mund të thahem
Çdo fund është i bukur nëse nga ti nuk ndahem.



fatmirmuja.al
fatmirmuja.com



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja