I DUA BUKURITË EDHE NËSE I SHËMTUAR JAM

Ju e dini që përrallat me mbret fort për zemër i kam
I dua bukuritë edhe nëse i shëmtuar jam
I dua aromat edhe nëse s’jam i parfumosur
I dua edhe këshillat sepse më pëlqen të jem i përsosur
Një mbret kishte kërkuar t’i merrte pranë vetes ca këshilltarë
Një ditë tek porta e pallatit u shfaqën tre shokë të pandarë
Vajtën për t’u punësuar ashtu siç mbreti kërkoi
Roja i portës mbretërore për kushtet e takimit i njoftoi
I tha të parit: “Zotni, në daç me naltmadhninë të kuvendosh,
Po s’shijove pak fekale të mbretit, mbretin s’mund ta takosh.”
“Bobo!” - i tha ky - “Qenka kusht i papërballueshëm!”
Por lakmia për të qenë pranë mbretit e bëri të tejkalueshëm
“Aman! ” - tha i  dyti, “Si mund t’i shijoj fekalet?!”
Por qejfi për të qenë me mbretin ia mundi të gjitha fjalët
“Në rregull!” - tha roja, “I plotësuat kushtet e mbretit.”,
“Urdhëro edhe ti zotni!” - iu drejtua të tretit
“Jo o rojtar!” - tha i treti – “Këtë nuk e bëj përjetë,
Edhe nëse një kusht i tillë do më bënte jo këshilltar, po mbret.”
Atëherë roja mbretin e njoftoi dhe mbreti të tretin brenda e ftoi
I tha: “Përse s’pranove ta përmbushësh kushtin këshilltar për t’u bërë?
E e di ti se mund të ishe trashëgues i një thesari të tërë?”
“Naltmadhni, një këshilltar që pranon ta ndyjë gojën te dera,
Brenda mbretërisë kur të hyjë, s’mund të japë këshilla me vlera,
Kush e provon një herë, mësohet, dhe mund ta bëjë edhe herave të tjera,
Por edhe nëse nuk e bën, gjithmonë fekale i vjen era.”
“Epo, ti je këshilltari im,” - i tha mbreti - “sepse ti e ruan pastërtinë,
Ata që hanë fekalet e mbretit, e hanë edhe mbretin me gjithë mbretërinë.”



fatmirmuja.al
fatmirmuja.com



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja