TE TJETRI E PËLQEJMË ATË QË ËSHTË SI TE VETJA JONË

Sorrën dhe bilbilin i mbylli në kafaz një zullumqar
Sorra i tha bilbilit: “Kush nga ne këndon më bukur o xhanëm këngëtar?
Si thua o zëëmbël, e bëjmë dot bashkë një garë?
“Mos aman!” – i tha bilbili – “se s’jemi nga e njëjta farë,
Këngët i kemi të ndryshme, e si mund të futemi në garë?”
“Epo, do këndosh se s’bën” – i tha sorra këmbëngulësisht
Meqë jemi mbyllur këtu, do garojmë miqësisht,
“Krreu” – bëri sorra disa herë dhe i tha biblilit të mjerë:
“Hajt, fillo ti tani të të dëgjoj një herë!”
Nga zori i gjori zërin e ëmbël nxori,
 “Ah medet bilbil, vdekja që s’të mori!”
“Të thashë që unë këndoj më bukur” i tha sorra bindshmërisht
Po s’besove, e pyesim dikë që do gjykojë paanshmërisht,
Pranë kafazit rrinte një gomar dhe pëlliste me zë të lartë
“Ta pyesim gomarin” - tha sorra – “se ky ka veshë të gjatë”
Cili këndojmë më bukur, unë apo ky bilbil këngëtari
“Bukur ia thotë bilbili, por ty moj sorrë s’ta kalon dot” – tha gomari
“Ke të drejtë” – tha zëëmbëli – “kështu ka qenë gjithmonë,
Te tjetri e pëlqejmë atë që është si te vetja jonë”



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja