NDARJA E TRUPAVE DHEMB KUR SHPIRTRAT JANË TË LIDHUR

Etja bëhet e gjallë për ujin dhe uria bëhet e gjallë për ushqimin ashtu siç zemra e dashuronjësit bëhet e gjallë për Të Dashurin. Ka etje për ujin që është vetë ekzistenca e përbotshme dhe uri për ushqimet që uji i mbanë në ekzistencë, por ka edhe etje për vetë etjen dhe uri për vetë urinë ashtu siç zemra e të dashuruarit ka etje dhe uri veç për Dashurinë. Ka zemra të pikëlluara nga ndarjet ashtu siç ka zemra të përmalluara nga takimet, por ka edhe zemra që çdo ndarje e kanë takim të vetë Zemrës, ashtu si gjethet që kur ndahen nga degët, takohen me rrënjët e pemës. Të dashuruarit urrejnë. Madje, askush nuk mund të urrejë më shumë se sa zemrat e dashuruara. Ato urrejnë mbarimin e takimeve me të dashurit e tyre. Ato harrojnë praninë e vet duke kujtuar mungesën e të dashurve të tyre. Mungesa e trupave është pasojë e pranisë së shpirtrave dhe ndarja e trupave dhemb kur shpirtrat janë të lidhur. Por trupat, sado t’i ushqesh, një ditë do të shpërbëhen ashtu siç shpërbëhet edhe ushqimi brenda tyre duke u shndërruar në forma të tjera materiale. Ashtu siç shndërrohet trupi, edhe zemra njerëzore shndërrohet nëpërmjet gjendjeve të saj. Ajo është shembëllyer me puplat e një shpendi të cilat era i valëvitë andej-këtej pareshtur. Nëse zbrazet nga dashuria, ajo e prish kurorën me ekzistencën sepse gjithçka prishet nëse nuk jeton për atë çfarë është shfaqur në ekzistencë.



Fatmir Muja 2016
fatmirmuja.al
fatmirmuja.com



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja