PEMA E JETËS

Paqe!
Me artin e amshueshëm të ekzistencës jam shfaqur, ja ku jam
Qiellit i jam drejtuar se rrënjët thellë në Tokë i kam
Pranvera më ka lulëzuar e të bukur më ka bërë
E sheh sa shumë degë kam dhe prapë jam një i tërë?
Vera më ka gjelbëruar dhe s’më ka lënë pa atë hir bukurie
Edhe kur mbetem pa fruta të paktën mund të bëj hije
Por vjeshta më ka zhveshur, gjethet nga degët m’i ka ndarë
T’u shpëtosh sprovave të jetës duhet të mbetesh veç farë
E të mbetesh veç farë e fshehur pa çelur e degëzuar
I bie të jesh i sigurt por kurrë të mos kesh jetuar
Ndal ti udhëtar i bekuar nën hijen time për një çast pushimi
Në botë vetëm humbja ta humbet frikën nga dështimi
Pa këngët e zogjve kam mbetur kur dimrat degët m’i kanë ngrirë
Por jeta ime nuk mbaron edhe po më the lamtumirë.
 
Ti udhëtar zemërthyer që askush veç vetes s’të ka gënjyer
Po pse edhe pas pendimit sërish në gjynah je kthyer?
Tek rrënjët e mia ke vënë kokën por mendja të rri tek degët
Po i ktheve mendimet në fjalë, çdo zemër e gjallë do të preket:
“Ne qenkemi si gjethet që në degë nuk qendrojnë gjithmonë,
Disa bien më herët, ca të tjera më vonë
Ca zemra qajnë në heshtje, ca të tjera me zë
Për një dashuri që lëndohet nga vetë kujtimi për të
Ademi e Havaja kur hëngrën frutin, për lakuriqësinë u ndërgjegjësuan
Dhe trupin me gjethet e pemëve të Kopshtit Parajsor e mbuluan
Për gjynaun u falën por ama nga Kopshti u dëbuan
Mirëqenia dhe paqja e Xhenetit asnjëherë nuk harrohen
Nga zemrat e thyera në Tokë të mirat e Qiellit kërkohen."
 
Ah udhëtar që zemrën tënde ke vrarë e trupin e ke lënë gjallë
Pema e jetës ka gufuar dhe s’mund ta kthesh dot në farë
Mbështetu në trungun e saj se zemra ka për t’u ngjallur
Duhet të të mungojnë ca të mira që jeta një herë t’i ka falur
Duhet të humbasësh diçka për ta gjetur veten
Kur gjethet bien nga degët, rrënjët njëlloj të forta mbeten
Kur zogjtë më braktisin, foletë me vete nuk i marrin
Ata kthehen gjithnjë dhe këngët sërish m’i falin
Dhe unë prapë gufoj me krejt artin e amshueshëm
S’kam hequr dorë nga asgjë por veç kam qenë trung i durueshëm
Jam ngulitur në Tokë që të jetoj me çdo sitinë të Qiellit
Për çdo ngjyrë që ma jep jeta them veç “Faleminderit!”
 
O udhëtar i ri i rrugës së vjetër!
Çdo dalje është hyrje për diku tjetër
Nuk ka asgjë krejt të keqe në shpërfaqjen e kësaj jete
Edhe vetë “lamtumira” është një përshëndetje
Asgjë s’ka më të vërtetë se vdekja që shpirtin e çliron
Që ta gjykosh tjetrin, vështroje se si ai dashuron
Secili vuan aq sa ndjen e aq sa zemra i kupton
Pak janë ata që lotët, dhimbjet e pikëllimet t’i njohin
E shumë janë ata që veç gabimet e lajthitjet t’i shohin
Mendimi është veç mur që vetëdijen ta humbet
S’ka zemër të fortë me një të shkuar të lehtë
Sa më gjatë ta presësh të ardhmen, ajo  më e shkurtër do të jetë
S’e di sa gjethe kam e as me sa pika shiu Qielli më ka ujitur
Por asnjë gjethe nuk bie I Dashuri pa e ditur
Nga dashuria që kam për jetën gjelbërohem sërish e sërish
Dhe nën hijen time të pres prapë të më vish.



Fatmir Muja
fatmirmuja.al
fatmirmuja.com



 

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja