ÇELËSI I HUMBUR

Mirë!
Ti sërish ke shpalosur këtë faqe dhe këtu do të zhytesh sërish
Madje, ti ke qenë këtu shumë herë edhe para se të vish
Malet dhe detet e shpirtit po digjen në flakën e amshueshme të jetës
Njeriu mund të ndahet nga një botë, por nuk ndahet dot prej vetes
Nuk është e madhe as e thellë ajo që mbetet prapa e as para nesh
Por ajo që s’mund të thuhet edhe pse brenda shpirtit do ta ndjesh
Brenda janë thesaret e fshehura të Qiellit po çelësi ka humbur në Tokë
Dryni dhe çelësi edhe po s’u takuan, gjithnjë njihen si shokë
Mos e thyej drynin tani, prit, duro dhe mos u ngut
Edhe pse thesari eshtë i yti, prapë do të të quajnë hajdut
Jo se bëhet nami nëse kështu nga bota do të quhesh
Por ti si hajdut, as botës e as vetes nuk i duhesh
 
Shumë mirë!
Shumë mirë bëre që erdhe, edhe më mirë do të bësh nëse pret
Thesaret mbetet të tilla edhe nëse për to askush nuk flet
Dryni është i vjetër por jo sa drybërësi që edhe çelësin e ka bërë vetë
Në qetësinë e ekzistencës bëhu poezi nëse nuk je poet
Dhe prit deri kur dhimbja shfaqet dhe s’pushon pa ilaçet
Atëherë do ta gjesh çelësin e humbur që gjithnjë e ke pasur
Se s’mund të vdes asnjëherë një zemër që ka dashur
Ajo mbetet e gjallë ashtu siç thotë Libri që me Çelës është hapur
Edhe pse Çelësin e tij askush në tërësi s’e ka kapur
Është e pamohueshme se kur lexon këto vargje, humbet koha
Unë ty që po lexon tani nuk të shoh, por gjithmonë të njoha
Edhe kur dashuronjësit në të njëjtën kohë nuk jetojnë
Ata njëri-tjetrin gjithnjë gjejnë kohë ta takojnë
 
O çelës i humbur!
Bota është harmoni, veç ne mund ta shohim si rrëmujë
Ndal, ki durim se sado të jetë uji i pastër, ndryshku nuk hiqet me ujë
As errësira me errësirë nuk hiqet, as flaka në flakë nuk digjet
Sado të ketë ujë e diell, fara e pemës nuk bëhet frut për një çast,
E largësia ekziston veç atëherë kur zemrat nuk janë bashkë
Por mos lejo që zemrat nëpërmjet dashurisë t’i vrasim
E as vuajtjet nëpërmjet shpresave t’i zgjasim
Se kështu do ta shthurim botën të cilës i përkasim
Piano veç tasteve të bardha, ka edhe tastet e zeza
Në melodinë e jetës dëshpërimet i veshim me shpresa
Po nëse shpresa dhe dëshpërimi të hedhin në greminën e njëjtë të kësaj bote,
Më thuaj nga këto dy rrugë, cila është zgjedhja jote?
 
Zambakët e bardhë gufojnë në kopshtin e zemrave të bashkuara
Pranoje se jeta është dëshpërim që të mos ketë më ditë të dëshpëruara
S’kam kërkuar nga askush të më dojë, as të më dashurojë
Diçka që për dikë është dëshirë, për tjetrin mund të jetë nevojë
Nevojat dhe dëshirat i kemi flakur aq sa ka qenë e mundur
Erërat Hyjnore na kanë tundur për të mos na lëkundur
Ne ende e kemi arkën me thesare, por çelësi na ka humbur
Ne ende nuk e thyejmë drynin se zhurmat nuk na duhen
Në mungesë të çelësit, pronarët hajdutë mund të quhen
Nga droja dhe jo nga roja ende thesaret brenda ruhen
Kush i frikësohet vdekjes nuk gjen kohë për të jetuar
Kush i frikësohet humbjes nuk gjen rrugë për të fituar
Kush s’e di deri ku mund të ngrihet, do të jetë i rrëzuar
Çasti nga i cili druhemi është veç Ditëlindje e Përjetshme
E nesërmja ka humbur sot, për hir të ditës së djeshme
Çelësin e humbur prapë ta jap, edhe pse nuk e kam gjetur
Ato që të mungojnë kur je zgjuar, i gjen në ëndërra kur të kesh fjetur
Një dry i mbyllur edhe pa çelësin e ruan një thesar të tërë
Një çelës mbetet i vlefshëm vetëm për drynin që është bërë.

Fatmir Muja

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja