NEKTARI

Gjithçka është e fshehur si fara e bimës në dhè
Fara është veç mundësi për kopshtin që ndodhet tek ne
Dashuritë janë të fshehura por zemrat i përjetojnë
Nektari është i fshehur por bletët e zbulojnë
Në mjaltë mbyten insektet, por jo edhe ato që e prodhojnë
E fshehur është edhe fjala që brenda nesh e pathënë jeton
Goja është më afër zemrës e më larg barkut që ushqim i çon
E trupi mishërohet me jetën tokësore derisa qenia frymon
Kur fryma ta ketë braktisur të gjithë do ta braktisin
Në greminën e varrit për ca çaste do ta ujdisin
Kur balta na ngjitet këmbëve kujtoje se jemi qiellor
Të përbashkët me bletët kemi Frymëzimin Hyjnor
Kur mendja mahnitet me veten kujtoje se jemi tokësor
Mendo çfarë mbajmë në barqe njëzetekatër orë
Mjaltin sado ta hamë, në mjaltë s’kem’ për ta kthyer
Nëse nuk jemi të pastër mund të mos jemi të ndyer
 
Zemra të përflakura në jetë mund të të hyjnë
Kur s’mund të të bëjnë të lumtur, përpiqen të të thyejnë
Kur s’mund të të bëjnë mirë nga afër, të sulmojnë nga larg
Disa nga zjarri i zemres të lënë tym e disa veç flakë
Disa nga shpirti i tyre të lënë gjurmë e disa veç plagë
Dhimbja e tyre të shoqëron që vetëm të mos ndjehesh
Të mungojnë aq sa të vuash, por jo edhe aq sa t’iu kthehesh
Ti s’ke qenë, nuk je dhe s’do jesh asnjëherë një dashuri e rreme
Fjalën s’e ke thënë as s’e ke shkruar nëse s’të ka buruar prej zemre
Ti ke qenë, je dhe do mbetesh nektar i krejt luleve të jetës
Disa që s’e marrin dot mjaltin, urrejnë gjembin e bletës
 
Buzëqeshja jote nuk mund të jetë ëmbëlsi veç e një pranvere
Mizat nuk ushqehen me lule  prandaj s’kanë vend në koshere
Nëse rastësisht hyjnë në hoje, të gjalla dot nuk dalin
Bletët dhurojnë mjaltin por papastërtinë s’e falin
Ato nuk e dëmtojnë as lulen kur ia marrin nektarin
Ti ke mbledhur nektarin e stinëve të bukura dhe mua më ke ushqyer
Me qumështin e kulluar plot ajkë, nga sëmundja në shëndet më ke kthyer
Për të të ruajtur ty, me gjuhën time veshët e mi i kam gënjyer
Kur ti ma ke shpalosur dashurinë unë qenien time kam urryer
S’kam mundur të mos e copëtoj veten kur zemrën ty ta kam thyer
Kam qenë i mbyllur brenda teje pa çelës edhe pa dry
S’kam mundur të mos ndjej dhimbje kur të kam goditur ty

Të dashurosh thellë dje, do të thotë të vuash thellë nesër,
Por kjo nuk do të thotë që të sotmen ta humbasësh patjetër
E pabindur është zemra, urdhërat mbrapsht mund t’i kthej
Mund të dashurojë deri në pikën ku nuk mund të urrej
Mund të urrej deri në pikën ku dashuri s’mund të ndjej
Po ku është pika mes urrejtjes dhe dashurisë, nuk ke për ta parë
Ato janë e njëjta gjë por egoja jonë i ka copëzuar dhe ndarë
Ata që na duan janë të njëjtit që mund të na urrejnë
Se s’mund të jetojnë në Tokë e asgjë për ne të mos ndjejnë
Secili digjet në zjarrin e gjynaheve të veta
Asnjë trup njeriu s’është më i pastër se bleta
Që shpirti të mos kalbet, kur trupi t’i kthehet tokës
Zemrat do t’i bëjmë zgjoje, mjaltë t’i dhurojmë botës
 
Gjynahu i njerëzve të parë ishte pasojë e harresës
Egoja jonë është thurur dhe jeton brenda kujtesës
Në jetë mund të gaboj i miri dhe i keqi, i riu dhe i vjetri
Mbas hakmarrjes së njërit, urrejtja kalon tek tjetri
Nga gjërat që na duhen në jetë, asgjë nuk është krejt e gatshme
Në fillim synojmë më të mirat, pastaj kërkojmë më të përshtatshmet
Nga mijëra lule nektari është mbledhur në zgjojet e bekuara
Ne jemi si bletët që në lule përjetësisht mbeten të dashuruara
Më mirë është të heqësh dorë nga çdo gjë e keqe se sa të kesh çdo të mirë
Se çdo e mirë nuk na duhet e çdo e keqe na dëmton me hir a pa hir
Nëse njëmendësisht e njeh veten, bëhesh i përndritshëm
Nëse përsërit të vërtetën, mbetesh i papërsëritshëm
Nëse sërish një fjalë të fshehur në zemrën time do ta kërkosh
Të them: “Mos jeto të harrosh, mos harro të jetosh!”



Fatmir Muja

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja