...U NDA HANA!

Një njeri vdes, shumë të tjerë qajnë! Pse?! Jo pse vdiq, por pse u ndanë. Vdekja nuk do të kishte dhimbje sikur të mos ishte ndarja. E çfarë ndarje mund të jetë ajo që njëkohësisht është edhe takim?! Ata që ecën në Rrugën e të Dashurit të tyre, thanë se dashuria nuk shtohet me takimin, as nuk pakësohet me ndarjen. Ata u ndanë për të qenë të bashkuar. Ata u vetmuan për të mos e ndier vetminë. A ka njeri më të vetmuar se Ibrahimi i hedhur në flakët e zjarrit? A ka njeri më të vetmuar se Haxherja me Ismailin e vogël në mes të shkretinës? A ka njeri më të vetmuar se Jusufi në fund të pusit? A ka njeri më të vetmuar se Musai i vogël në mes të detit të madh? A ka njeri më të vetmuar se Junusi në gojën e peshkut? A ka, më thuaj, a ka njeri më të vetmuar se Merjemja e kapluar nga dhimbjet nën trungun e thatë të hurmës, duke pritur ardhjen e Isait? Në qiellin e dynjasë nuk ka më shumë se një hanë. Ajo hanë u nda në dy pjesë për njeriun më të vetmuar mes tokës dhe qiejve. Ai është më i vetmuar se të gjitha zemrat në dynja, por kurrë vetminë nuk e ka ndier. S’ka as nanë, as babë! Është rritur pa përqafimin e tyre por vetë është më i afërt se përqafimi. Aty ku rri ai, s’ka dritë se ai është vetë Kandili Ndriçues. Nuk lexon libra se ai është vetë Libri i Gjallë i Jetës. Nuk zbulon fshehtësitë e jetës se ai është vetë Roja e Fshehtësive. Ai që mësohet njëherë me praninë e tij, në mungesë të tij, fjalët i vdesin në buzë e dynjaja i ngushtohet. Një trung hurme njëherë përjetoi afërsinë e tij dhe kur ai u largua, trungu lotoi. Po t’mos i afrohej përsëri, dynjaja do të notonte në lotë. Trungu qau, por jo edhe zemrat e vdekura në trupat e gjallë. Zemrat që nuk qajnë për ndarjen nuk mallëngjehen as për takimin. Zemrat e gjalla atë e duan edhe pa e parë. Ai është udhëtari i Hixhretit që braktis vendlindjen e tij sepse gjaku nuk guxon të pikojë aty ku buron uji i Zemzemit. Ai është luftëtari që lufton kundër luftës. Ai është udhëtari i Israsë që niset nga toka. Ai është udhëtari i Miraxhit që kthehet nga qiejt. Duke pëshpëritur fjalët e tij, lutësi bëhet lutje. Fjalët e tij nuk janë nga kjo botë, por bota është krijuar për fjalët e tij. Në gjoksin e tij është shkruar fillimi dhe fundi sepse ai është udhëtari i Pafundësisë. Ai i mbyllë sytë po zemra e tij nuk fle. Ai është Muhamedi në shpellën Hira. Nëse nuk e do errësirën, futu në shpellën e tij. Sa më shumë të vetmohesh në shpellën e tij, aq më pak do ta ndjesh vetminë. Sa më shumë të hysh në thellësinë e shpellës së tij, aq më shumë do të gjesh dritë. E kur zemra e gjen dritën, e ndjen se errësira ka qenë ekzistencë e rreme. Epo, si do të ekzistonte errësira sikur të mos të mos ishte Drita dhe si do ta gjenim Dritën po të mos ishte errësira?!... Futu në shpellën e Muhamedit dhe lexo! Çfarë të lexosh? Lexoje veten! Lexoje mishin, gjakun dhe fymëmarrjen tënde! Lexoje ujin e lumit që derdhet në det por nuk ia ndërron shijen ujit të detit. Atëherë, e kupton pse deti nuk e kthen mbrapsht asnjë lumë. Shpella nuk vjen tek ti, por ti shko tek ajo sepse ty të ze shpella, e jo e kundërta. Futu në Hirën e Muhamedit që ta ndjesh se vdekja nuk është vetëm ndarje por edhe takim, që vetmimi nuk është veç vetmi por edhe shoqërim, që fundi nuk është vetëm fund por edhe fillim.



Para se fjalët të mbarojnë me pikë,
le të fillojnë nga pika! Pika është vetëm pikë,
Por pa pikën fjalët e humbasin kuptimin.
Edhe pikë.



E kaluara është veç kujtesë, e ardhmja është veç pritje! E e tashmja? E tashmja është koha kur duhet të vdesësh para se të vdesësh. Kohën nuk mund ta ndalësh, por mund të mos e humbasësh! Futu në shpellën e tij, para se dielli të ketë lindur në perëndim! Hana u nda në të kaluarën dhe kjo është veç kujtesë, dielli në të ardhmen do të lindet në perëndim, dhe kjo është veç pritje. E tash, hyr në Hirën e Muhamedit tonë, që e kaluara dhe e ardhmja të bëhen e tashmja jonë! Mirupafshim “Atë Ditë, kur Ne e palosim qiellin, sikur palosja e fletëve në libër. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë...” (Kuran 21/104).



Fatmir Muja
24 Ramazan 2008

"Gjithçka nuk është e vërtetë, por e Vërteta është gjithçka." - F. Muja